Këngëtarja e famshme britanike, Jessie J, ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale lajmin e madh se është shëruar plotësisht nga kanceri i gjirit, saktësisht 11 muaj pas diagnostikimit të saj. Artistja 38-vjeçare tregoi se sapo ka mësuar rezultatet e analizave të fundit vjetore, ka qarë me dënesë për orë të tëra nga lehtësimi.
Përmes një videoje të ndarë në profilin e saj në Instagram, krijuesja e hitit “Price Tag” u shfaq nga spitali ku po bëhej gati për të kryer një skanim me Rezonancë Magnetike (MRI). Ndonëse pranoi para kamerës se ishte mjaft e frikësuar dhe se vuante nga klaustrofobia, ajo u bëri thirrje fansave të qëndronin pozitivë.
“Rezultatet kanë mbërritur dhe unë jam e pastër nga kanceri! Qava me dënesë për orë të tëra dhe më pas morën frymë lirisht për herë të parë pas një viti,” shkroi e lumtur këngëtarja në përshkrimin e videos, ku menjëherë vërshuan qindra komente urimi nga kolegë dhe yje të njohur të ekranit.
Rrugëtimi i Jessie J nuk ka qenë i lehtë. Pasi u diagnostikua në qershor të vitit të kaluar, ku fatmirësisht sëmundja u kap në hapa të hershëm, ajo iu nënshtrua menjëherë një mastektomie (ndërhyrje për heqjen e gjirit). Megjithatë, asaj iu desh të përballej edhe me momente frustrimi kur mjekët ia shtynë operacionin e dytë të planifikuar.
Këngëtarja madje u detyrua të anulonte turneun e saj muzikor në SHBA për t’iu nënshtruar kësaj ndërhyrjeje, por pas një konsulte të dytë, mjekët vendosën se operacioni mund të priste edhe pak. Artistja u kërkoi ndjesë publike fansave për anulimin e koncerteve, por shtoi se gjëra të tilla ishin jashtë kontrollit të saj dhe se tashmë po riorganizonte datat e reja. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


