“Ferma VIP” do të ndezë zyrtarisht motorët këtë të premte, me një rikthim të shumëpritur të Arbana Osmanit në moderimin e formateve të këtij kalibri.
Ndërkohë që rrjeti po zien për të zbuluar se cilët do të jenë personazhet e njohur që do të lënë luksin për të bashkëjetuar me kafshët dhe baltën, një tjetër kuriozitet i madh ka qenë edhe paneli i opinionistëve.
Produksioni ka njoftuar se emrat do të bëhen publikë mbrëmjen e sotme, por burime për Prive By Liberta Spahiu kanë arritur të konfirmojnë tashmë dy prej tyre.
Karrigia e parë i është besuar Einxhel Shkirës, e cila njihet për natyrën e saj të drejtpërdrejtë dhe pritet të mos i kursejë fare kritikat ndaj fermerëve. Për të balancuar këtë energji, krah saj do të pozicionohet Armina Mevlani, e cila do të sjellë një qasje më të qetë dhe diplomatike në analizën e lojës. Por kasti i panelit mund të mos mbyllet me kaq.
Emri i tretë që po përflitet fort në korridoret e televizionit është ai i Ermal Mamaqit. Nëse aktori dhe producenti konfirmon pjesëmarrjen, do t’i shtonte spektaklit një dozë të mirë humori dhe ironie. Tani na mbetet vetëm të presim të premten për të parë se si do të funksionojë kjo treshe në ekran.


