Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Britaninë e Madhe, nën dyshimin se kanë hyrë me forcë në rezidencën private të Princit William dhe Princeshës Kate, në Norfolk të Anglisë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, më 23 nëntor, në rezidencën Anmer Hall, e cila ndodhet brenda kompleksit mbretëror Sandringham.
Sipas raportimeve të Reuters dhe Sky News, të arrestuarit janë identifikuar si Mirgen Doku, 34 vjeç, dhe Arilen Ndoci, 32 vjeç. Ata dyshohet se kanë marrë gjashtë palë mansheta dhe një orë nga rezidenca e çiftit mbretëror.
Policia britanike kishte ndërhyrë pas raportimeve për aktivitet të dyshimtë në pronë, ndërsa për kapjen e të dyshuarve ishin angazhuar edhe qen policorë, dronë dhe një helikopter. Sipas Associated Press, një person i tretë i dyshuar ende nuk është arrestuar.
Në momentin e ngjarjes, Princi William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, nuk ndodheshin në rezidencë.
Anmer Hall, rezidenca me dhjetë dhoma gjumi, ishte dhuratë martese për çiftin nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 2011.
Ndërkohë, zyra e çiftit mbretëror në Pallatin Kensington ka refuzuar të komentojë çështjet që lidhen me sigurinë.

Dy shqiptarët dolën para gjykatës më 25 nëntor, ku përballen me akuzat për vjedhje me thyerje dhe hyrje të paautorizuar në një zonë të mbrojtur. Ata do të qëndrojnë në paraburgim deri në seancën e radhës, të caktuar për 30 nëntor.
/Prive By LS


