Nga klubet e errëta të Lower East Side në New York e deri te shkëlqimi i skenës së “Oscars”, rrugëtimi i Stefani Germanotta-s është përralle moderne e vullnetit dhe transformimit. Sot, Lady Gaga feston 40-vjetorin e lindjes, duke shënuar katër dekada të një jete që ndryshoi përgjithmonë industrinë e argëtimit. Ajo nuk erdhi thjesht për të kënduar, por për të krijuar një epokë ku arti, moda dhe muzika shkrihen në një të vetme.
Gjithçka nisi në vitin 2008 me albumin “The Fame”. Kur bota dëgjoi për herë të parë “Just Dance” dhe “Poker Face”, askush nuk e parashikonte se kjo vajzë me paruke bionde dhe syze futuristike do të bëhej zëri i një gjenerate. Por ishte “The Fame Monster” dhe hiti “Bad Romance” që e pozicionuan atë si një forcë të pandalshme. Kush mund ta harrojë fustanin prej mishi në MTV VMA apo performancat që thyenin çdo tabu? Gaga na mësoi se të jesh “ndryshe” është fuqia më e madhe, sidomos me himnin “Born This Way”, i cili u kthye në një lëvizje globale për pranimin e vetvetes.
Megjithatë, magjia e vërtetë e Gagas qëndron te aftësia për t’u vetë-shpikur. Kur kritikët menduan se ajo ishte vetëm “shou dhe skandale”, ajo u rikthye me albumin e xhazit “Cheek to Cheek” krahas legjendës Tony Bennett, duke dëshmuar një vokal që la pa fjalë edhe skeptikët më të mëdhenj. Më pas erdhi suksesi epik me “A Star Is Born”. Roli i Ally-t dhe suksesi i padiskutueshëm i “Shallow” i dhanë asaj një “Oscar” dhe e rreshtuan krah yjeve më të mëdhenj të Hollywood-it.
Sot, në moshën 40-vjeçare, Gaga nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi. Me projektin e fundit “Joker: Folie à Deux” ku shkëlqen si Harley Quinn dhe me thashethemet për një album të ri pop që po vjen, ajo mbetet po aq enigmatike dhe e dashur sa në ditën e parë. 40 vite jetë dhe gati dy dekada karrierë, Lady Gaga mbetet prova e gjallë se arti i vërtetë nuk ka skadencë /Prive By Liberta Spahiu.


