Mbrëmja e djeshme në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova ka qenë e mbushur me tensione dhe ballafaqime të drejtpërdrejta mes pesë finalistëve gjatë darkës së tyre të fundit, ku pyetjet ishin të gjitha nga publiku.
Një nga pyetjet që “ndezi” atmosferën ishte se kush nga banorët ka ardhur me maskë deri në finale pa e hequr asnjëherë.
Londrimi nuk hezitoi të drejtonte gishtin nga Elijona, duke u shprehur se për shkak të raportit të afërt që kanë pasur, fillimisht nuk ka mundur ta vërejë lojën e saj.
Sipas tij, ai nuk e ka parë me syrin e lojtares, por disa veprime të saj te pjesa e viktimizimit i kanë bërë përshtypje, duke shtuar se ajo ka depërtuar dhe ka arritur që shumë situata t’i kthejë në favor të vetin pikërisht përmes kësaj “maske”.
Pas kësaj deklarate, Elijona i është kthyer menjëherë me pyetjen: “Në cilat pjesë?”, duke kërkuar sqarim për këto akuza.
Londrimi u bazua në debatin e tyre të fundit, duke i thënë se në një bisedë të qetë e pa ofendime, veprimi i saj për t’u çuar nga tavolina pa arsye i ishte dukur si një viktimizim i pastër.
“Prej atij debati po bazohem për vete që mund ta quaj si maskë,” u shpreh ai.
Elijona reagoi menjëherë duke thënë se kjo përgjigje e tij nuk qëndron fare, pasi ajo që ai quan “maskë” është thjesht ajo dhe mënyra se si ajo reagon si person emocional.
Ajo theksoi se në atë moment nuk e kishte kuptuar situatën dhe ishte munduar ta sqaronte pikërisht për shkak të raportit shoqëror që kishin pasur deri atëherë.
Lidhur me pyetjen tjetër të publikut se deri ku mendon se do ta çojnë lotët, ajo u përgjigj me mjaft emocion, duke sqaruar se lotët e saj nuk janë mjet loje, por pjesë e natyrës së saj të përditshme.
Ajo theksoi se qan në çdo rrethanë të jetës, qoftë kur gëzohet, mërzitet, zhgënjehet apo nervozohet, duke shtuar se këto lote janë thjesht ndjeshmëria dhe butësia e saj.
“Shpresoj dhe mendoj që lotët e mia nuk më kanë sjellë deri këtu,” përfundoi ajo, duke lënë të kuptohet se rrugëtimi i saj deri në finale ka pasur shumë më tepër se thjesht lot e emocione. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


