Xheneta Fetahu, ka bërë një reagim të fortë dhe emocional në llogarinë e saj në Instagram, duke i dhënë fund heshtjes ndaj komenteve të vazhdueshme dhe ofenduese që merr lidhur me trupin dhe peshën e saj.
Përmes një postimi në “InstaStory”, Xheneta u shpreh e shokuar nga lehtësia me të cilën njerëzit e ndiejnë veten të lirë të gjykojnë pamjen e saj fizike. Ajo theksoi një standard të dyfishtë dhe hipokrizinë e komentuësve, të cilët nuk e kanë kursyer me fjalë as kur ishte nën peshë, dhe as tani që ka shtuar peshë.
“Kur kam qenë shumë e dobët, më quajtët ‘shtag sorr’ dhe gjëra të tjera. Sot, që kam shtuar peshë dhe jam më mirë me shëndetin tim, vazhdoni me komente si ‘bark shtatzënë’ apo ‘balenë’,” ka shkruar ajo.
Xheneta zbuloi gjithashtu se prapa humbjes së saj të theksuar të peshës në të kaluarën fshiheshin probleme shëndetësore, duke sqaruar se: “Në atë kohë nuk kam qenë mirë. Tani jam më mirë dhe kjo është ajo që ka rëndësi.”
E indinjuar nga tendenca e njerëzve për të projektuar pasiguritë e tyre tek ajo, Xheneta theksoi se ata që e kritikojnë më ashpër shpesh kanë një jetë larg të qenit perfekte. Ajo u ka dërguar një mesazh të prerë ndjekësve që merren me “body-shaming”:
“Sinqerisht, do doja të gjeja të paktën një person që ka një jetë perfekte dhe një trup ‘perfekt’ që më kritikon por realiteti është se shumica prej jush keni problemet tuaja dhe një jetë aspak të mirë. Merruni me jetën tuaj.”
Në fund, Xheneta i ka vënë emrin e vërtetë këtij fenomeni në rrjetet sociale, duke refuzuar ta pranojë atë si liri të fjalës.
“Sepse kjo që po bëni nuk është ‘shaka’ apo ‘opinion’ – është bullizëm i qartë. Dhe duhet të ndalojë,” ka përfunduar ajo, duke bërë thirrje të hapur kundër bullizmit kibernetik.
/Prive By Liberta Spahiu



