Sot pasdite, artistja Tayna publikoi projektin e saj më të ri të titulluar “Muza”, të shoqëruar me një videoklip që po merr një vëmendje të madhe në çdo platformë. Por, përtej muzikës, duket se kjo këngë mund të jetë vetëm fillimi i diçkaje shumë më të gjerë. Për ata që kanë një sy më të mprehtë dhe i kushtojnë rëndësi çdo detaji vizual, klipi i sapopublikuar fsheh disa pista interesante që kanë nxitur menjëherë dyshimet se artistja po përgatit terrenin për një projekt madhor.
Në disa sekuenca të shkurtra të videos, shfaqen elemente që zor se janë thjesht një rastësi skenike për të mbushur kuadrin. Konkretisht, fokusi bie mbi një pajisje ku shkruhet qartë “GENESIS”, një fjalë që të jep menjëherë përshtypjen e një titulli albumi. Për më tepër, në një tjetër plan detaji shfaqet një skicë arkitekturore ku duket e shënuar një datë specifike, e cila mund të jetë shumë mirë dita kur ky projekt i supozuar do të shohë dritën e publikimit.

Megjithatë, pjesa më intriguese vjen nga një tjetër skenë: një sirtar i mbushur me dosje që duken fiks si një listë këngësh. Mes tyre lexohen tituj që ngjajnë si projekte solo, përfshirë “Rruga Jeme”, “Solo”, “Vajza e Dimrit” apo “Nata”, por ajo që tërheq vërtet vëmendjen janë dosjet e bashkëpunimeve. Nëse shikon me kujdes, aty listohen emra surprizë si “Tayna ft. Aurela Gaçe” apo “Tayna ft. Lluni”.
Natyrisht, në këtë fazë jemi ende në ujërat e hamendësimeve dhe nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga vetë artistja. Por, vendosja e këtyre detajeve të ashtuquajtura në klip është një strategji e njohur para një epoke të re muzikore. Nëse në atë sirtar nuk fshihen thjesht kujtimet e një dekade, por vërtet po vjen “Genesis”, atëherë duket se për artisten një histori e re sapo ka filluar. /Prive By Liberta Spahiu



