Nora Istrefi ka dëshmuar ndër vite se di të ruajë një standard të lartë në tregun muzikor shqiptar, duke kuruar me kujdes çdo detaj të profilit të saj muzikor dhe vizual. Së fundmi, artistja është rikthyer me një EP të ri të titulluar “IV”, një projekt që kishte krijuar pritshmëri mjaft të mira te publiku. Siç tregojnë edhe reagimet e para, ky rikthim po shijon një pëlqyeshmëri të gjerë nga dëgjuesit.
Në këtë mini-album, Nora ka ditur të gërshetojë rryma dhe bashkëpunime mjaft të goditura. Ndryshe nga ç’mund të pritej, kënga që ka rrëmbyer vëmendjen absolute dhe rezulton të jetë më e dëgjuara e këtij projekti është “Amani”, një bashkëpunim energjik me Muharrem Ahmetin. Kjo harmoni mes dyshes duket se ka bërë për vete menjëherë publikun, duke dominuar preferencat e dëgjuesve.
Nga ana tjetër, një nostalgji dhe emocion të veçantë ka sjellë dueti me këngëtarin Sinan Vllasaliu. Balada “Paralele” ka shënuar një ribashkim shumë të suksesshëm mes dy artistëve. Kjo këngë është pritur jashtëzakonisht mirë nga fansat, të cilët kanë vlerësuar gjithmonë kiminë e tyre artistike dhe peshën që vokalet e tyre i japin njëri-tjetrit.
Vetë artistja ka zgjedhur të falënderojë publikun për këtë mbështetje. Përmes një postimi, Nora theksoi se në vetëm dy ditë, projekti ka kaluar afro 2 milionë shikime dhe dëgjime në të gjitha platformat muzikore.
Ky numër flet vetë dhe tregon qartë se Nora Istrefi di të ruajë mjeshtërisht statusin e saj si një ikonë e muzikës shqiptare. /Prive By Liberta Spahiu



