Pas një periudhe të gjatë heshtjeje që kishte ngritur shqetësime të shumta tek ndjekësit, Blero ka reaguar publikisht me një rrëfim të sinqertë dhe të dhimbshëm mbi gjendjen e bashkëshortes së tij.
Ai ka bërë të ditur se kthimi nga Barcelona, i cili u realizua përmes një fluturimi me ambulancë, fatkeqësisht nuk solli rikuperimin e shumëpritur. Përkundrazi, pas një fillimi shpresëdhënës, situata u pasua nga komplikacione të rënda që e kanë rënduar edhe më tepër shëndetin e influenceres.
View this post on Instagram
Sipas Bleros, megjithëse menjëherë pas operacionit Blerta u ndje më mirë, situata ndryshoi drastikisht pas një infeksioni dhe problemeve të tjera që pasuan. Përveç dhimbjeve në shtyllën kurrizore të qafës ku u krye ndërhyrja, ajo tani po përballet me një përkeqësim masiv edhe në pjesën e poshtme të shpinës. Ai përshkruan se trupi i saj ndihet i paqëndrueshëm dhe nuk mund të mbahet më pa ndihmën e korsesë, ndërsa lëvizjet më të vogla apo rrotullimet janë bërë të pamundura pa shkaktuar dhimbje të forta. Për shkak të kësaj gjendjeje, Blerta detyrohet të qëndrojë pothuajse gjithë kohën në shtrat, pasi pozicioni ulur është i mundur vetëm për disa minuta.
Përpos problemeve ortopedike, gjendja është rënduar ndjeshëm edhe nga mosfunksionimi i sistemit tretës, çka ka sjellë pasoja të dukshme fizike.

Blero tregon se stomaku dhe zorrët e saj janë të inflamuara dhe mezi funksionojnë, gjë që ka çuar në një humbje peshe prej mbi 7 kilogramësh në një kohë shumë të shkurtër. Ai shprehet me shqetësim se Blerta pothuajse nuk mund të marrë më ushqim dhe se, me shumë gjasa, asaj do t’i duhet sërish një port për t’u ushqyer në mënyrë artificiale, pasi trajtimi aktual në shtëpi nuk po jep efektin e duhur.
Pasi qartësoi anën mjekësore, Blero u ndal gjatë edhe tek arsyeja pse zgjodhën të izoloheshin dhe të mos komunikonin me publikun gjatë kësaj kohe kritike. Ai shpjegon se heshtja nuk erdhi vetëm nga mungesa e kohës apo lodhja, por ishte një përpjekje e vetëdijshme për të mbrojtur Blertën nga energjia e jashtme. Në postimin e tij, ai evidenton një model të dhimbshëm ku sa herë që ndanin detaje shpresëdhënëse apo përparime të vogla, gjendja shëndetësore përkeqësohej menjëherë pas publikimit ose ndodhte diçka tjetër e papritur.
Kjo frikë nga energjia negative dhe “sytë e këqij” u forcua edhe nga përballja me njerëz dashakeqës gjatë kësaj periudhe. Blero thekson se kanë mësuar se ka njerëz që nuk kanë pasur qëllime të mira dhe kanë përhapur thashetheme të pavërteta në momentet e tyre më të vështira. Megjithatë, ai e mbyll këtë pjesë me besimin se lutjet e mira janë gjithmonë më të forta se sytë e këqij.
Aktualisht, ai po përballon gjithçka i vetëm, pa ndihmë private, dhe shprehet se ndodhet në kufijtë e tij fizikë pas javësh të tëra pa gjumë të rregullt, duke bërë të pamundurën për t’i qëndruar pranë bashkëshortes. /Prive By Liberta Spahiu



