Trendi më i fundit që ka pushtuar rrjetin social TikTok, ku njerëzit filmojnë veten duke hapur “pako të humbura” ose të pakthyera, ka mbërritur tashmë edhe në Kosovë. Imazhet e njerëzve jashtë vendit që gjejnë gjithçka, nga pajisje elektronike te produkte kozmetike të shtrenjta, ka joshur edhe qytetarët këtu që të provojnë fatin e tyre duke blerë këto “kuti misterioze”.
Megjithatë, entuziazmi fillestar po zëvendësohet me shpejtësi nga një valë zhgënjimi.
Ndryshe nga pritshmëritë e krijuara nga videot virale, realiteti kosovar i këtij trendi duket krejt ndryshe.
Zhgënjimi i “Pakove Misterioze”
Në rrjetet sociale, përfshirë vetë TikTok-un dhe grupet në Facebook, kanë filluar të qarkullojnë ankesat e para nga blerësit e zhgënjyer.
Sipas raportimeve të tyre, këto pako, për të cilat ata paguajnë një shumë të caktuar pa e ditur përmbajtjen, po rezultojnë të jenë një dështim. Përdoruesit pohojnë se vlera e produkteve brenda pakos është shumëfish më e vogël sesa çmimi që ata kanë paguar për të.
Shumica dërrmuese e ankesave fokusohen në faktin se kutitë janë të mbushura me produkte të lira, shpesh të cilësisë së dobët, të cilat mund të gjenden lehtësisht në treg me çmime minimale, siç janë ato të dyqaneve “gjithçka për 1 euro”.
A janë vërtet “të Humbura”?
Kjo situatë ka ngritur dyshime serioze mbi natyrën e këtij biznesi.
Në tregjet ndërkombëtare, ky trend lindi nga shitjet legale të paletave me mallra të pakthyer nga gjigantët si Amazon apo mallra të humbura nga shërbimet postare.
Mirëpo, në kontekstin vendor, po dyshohet nëse këto janë vërtet “pako të humbura” apo thjesht një strategji e re marketingu nga shitës të ndryshëm. Duket se disa biznese po përdorin etiketën tërheqëse “pako misterioze” ose “pako e humbur” thjesht për të shitur stokun e vjetër ose produkte me kosto shumë të ulët, duke përfituar nga kurioziteti dhe shpresa e blerësve për të “goditur në shenjë”.
Ndërsa ideja e një “llotarie” me pako mbetet argëtuese, përvoja aktuale në Kosovë po shërben si një paralajmërim për konsumatorët: ajo që fillon si një trend viral në TikTok, mund të përfundojë si një shpenzim i kotë për produkte që nuk i vlenin paratë. /Prive By Liberta Spahiu
@mondaa.7 Mshkun 25 euro🥲#viral #fyp #kutiatehumbura#😅 #tiktok ♬ LIMITS THE SKY – Mpax


