Këngëtarja Albulena Ukaj ka prezantuar projektin e saj më të ri muzikor të titulluar “Cak Cak”, një prurje mjaft dinamike me të cilën po përgatitet për një sezon veror të ngarkuar me mbrëmje dhe koncerte. Për këtë nisje të re, Albulena ka bërë një lëvizje strategjike duke e nisur rrugëtimin e saj në YouTube krejtësisht nga zero, përmes një kanali të ri të dedikuar posaçërisht për këtë kapitull të karrierës së saj.
Por përtej ritmeve të këngës dhe investimit në videoklip, vëmendjen më të madhe duket se e ka marrë pamja e saj.
E shfaqur me një veshje ekstravagante rozë dhe plot thekë brenda një skenografie po aq ngjyrë rozë, këngëtarja ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale. Fokusi i disa komentuesve ka devijuar totalisht nga muzika, duke u kapur te linjat trupore dhe zgjedhja e gardërobës.
Një ndjekës madje e ka akuzuar hapur se ajo nuk po këndon fare, por thjesht po reklamon trupin e saj para kamerave.
Në stilin e saj, Albulena nuk ka zgjedhur të heshtë. Ajo i ka kthyer një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe mjaft ironike komentuesit, duke i përmendur bashkëshorten dhe pasojat që do të kishte nëse ajo do t’i shihte komentet e tij nëpër profilet e femrave të tjera. Kjo përplasje ka marrë menjëherë vëmendje, duke vërtetuar se këngëtarja është e gatshme t’u përgjigjet kritikave pa dorashka teksa shijon klikimet e projektit të saj më të ri. /Prive By Liberta Spahiu



