Reperi i njohur kongolez me famë ndërkombëtare, Gims, e ka gjetur veten në qendër të një skandali të madh ligjor në Francë. Të mërkurën e 25 marsit, ylli i hitit “Est-ce que tu m’aimes” u ndalua nga autoritetet sapo kaloi doganën në aeroportin e Parisit, “Charles-de-Gaulle”, dhe u vendos në paraburgim. Ai po merret në pyetje nga Prokuroria Kombëtare kundër Krimit të Organizuar (PNACO) nën akuzat për pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas raportimeve nga mediat franceze dhe agjencia AFP, hetimet po zbulojnë një rrjet të gjerë kompanish të dyshimta, të cilat dyshohet se janë përdorur për shmangie të TVSH-së, faturime false dhe pastrim të parave nga aktivitete të jashtëligjshme.
Në qendër të këtij hetimi masiv duket se është edhe një projekt luksoz imobiliar në Marrakech të Marokut, i quajtur “Sunset Village Private Residences”, të cilin Gims e ka promovuar fuqishëm kohët e fundit. Projekti përfshin mbi njëqind vila luksi dhe hetuesit dyshojnë se mund të jetë përdorur si maskë për transaksione të zeza. Avokati i reperit, David-Olivier Kaminski, ka refuzuar të japë komente për mediat, duke e bërë situatën edhe më të mjegullt për artistin 39-vjeçar, i cili vetëm vitin e kaluar theu rekordet e shitjeve në tregun evropian.
Në Kosovë, ky zhvillim pritet të ndryshojë planet, pasi reperi kishte paraparë një performancë në vendin tonë gjatë kësaj vere. Mbetet ende e paqartë nëse agjencia e tij do t’i anulojë apo shtyjë të gjitha datat e turneut ndërkombëtar pas këtyre telasheve të rënda me drejtësinë. /Prive By Liberta Spahiu


