Këngëtari Riki ka sjellë projektin e tij më të ri muzikor, duke i ftuar dëgjuesit të reflektojnë përmes vargjeve. Kënga mban titullin “Pyetjen e kom” dhe trajton tematikën e të vërtetave që shpesh zgjedhim t’i injorojmë.
Për të dhënë një ide më të qartë rreth konceptit të kësaj prurjeje, vetë artisti e ka përshkruar atë me këto fjalë: “Kjo këngë flet për disa pyetje që zakonisht nuk gjejnë përgjigje, ose ndoshta përgjigjet janë aty, por për ne është më e lehtë të bëjmë sikur nuk i shohim.”
Për këtë krijim, Riki ka marrë përsipër pothuajse gjithçka. Ai jo vetëm që ka shkruar tekstin, por është kujdesur personalisht edhe për vijën melodike, duke dëshmuar talentin e tij si kantautor. Për të plotësuar mesazhin e këngës, projekti është finalizuar me një videoklip të kuruar nga “Sustain Production”, i cili tashmë gjendet në platformën YouTube.
“Pyetjen e kom” nuk vjen si një publikim i vetëm dhe i shkëputur. Ky videoklip është vazhdimësi e një cikli projektesh që artisti ka vendosur t’i lansojë rregullisht çdo të premte. Të gjitha këto këngë janë pjesë e albumit të tij të ri, të cilin fansat mund ta gjejnë të plotë në Spotify.
/Prive By Liberta Spahiu


