Hailey Bieber ka folur për herë të parë hapur për shtatzëninë e saj, duke pranuar se fillimisht e pati të vështirë ta pranonte lajmin e befasishëm. Në një intervistë për numrin e gushtit të Vogue Italia, 28-vjeçarja – e cila u bë nënë për herë të parë në gusht 2024, kur solli në jetë djalin Jack Blues Bieber – tregoi se përjetimi emocional i shtatzënisë ishte më i thellë nga sa kishte pritur.
“Shtatzënia ishte e papritur dhe më duhej të përballesha me shumë emocione. E kupton që jeta jote nuk do të jetë më e njëjtë – ndryshon në një mënyrë pozitive, por nuk kthehet më mbrapa,” tha Hailey për revistën.
Ajo pranoi se e pati shumë të vështirë emocionalisht, por mëmësia e ka ndryshuar për mirë dhe e ka afruar më shumë me bashkëshortin e saj, Justin Bieber. “Për një moment, partneri të sheh si një perëndeshë, si një superhero… të paktën kështu ndodhi me mua,” u shpreh ajo.
Çifti ka qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, veçanërisht për sjelljet e Justin-it para publikimit të albumit të tij të shtatë, Swag. Hailey theksoi se ka qenë e vështirë të përballojë gjithë këtë presion në publik: “Shumë njerëz më pyesin nëse jam mirë dhe kjo fillon të rëndojë shumë.”
Edhe Justin ka pranuar se ndjen se “të gjithë e shohin atë si problemin”, ndërsa të tjerët duket sikur janë të përsosur. Por ardhja e Jack-it ka ndryshuar gjithçka për Hailey.
“Tani djali është prioriteti im. Ai është gjëja më e rëndësishme për mua,” tha ajo. “Ka qenë mësuesi më i mirë i jetës sime. Ka qenë gjëja më e mirë edhe për martesën time. Të bën ta shohësh partnerin në një dritë krejtësisht të re.”
Hailey lavdëroi Justin-in si një baba të mrekullueshëm, që është “natyral” në rolin e prindit. Megjithatë, ajo e pranoi se nuk është gjithmonë e lehtë të jetosh në sy të publikut, sidomos kur përballesh me thashetheme të vazhdueshme.
“Të lexosh çdo ditë lajme të rreme si ‘Po ndahen’ apo ‘Nuk janë më të lumtur’, është lodhëse dhe të çmend. Është një jetë e çuditshme, dhe nuk jam e sigurt që mund ta shpjegoj plotësisht.” /Prive By Liberta Spahiu