Medikamenti i njohur për diabetin, Ozempic, që ka bërë bujë për efektet në humbje peshe, po rezulton të jetë edhe më i fuqishëm nga sa mendohej. Një studim i ri shkencor sugjeron se ai mund të ngadalësojë – madje edhe të kthejë mbrapsht – procesin e plakjes.
Ozempic dhe ilaçi “motër” i tij, Wegovy, përmbajnë përbërësin aktiv semaglutide, i cili i përket grupit të barnave GLP-1, fillimisht të dizajnuara për trajtimin e diabetit të tipit 2. Por me kalimin e kohës, këto ilaçe fituan famë për aftësinë që kanë në reduktimin drastik të peshës trupore.
Tashmë, shkencëtarët besojnë se përfitimet e semaglutidit mund të shkojnë shumë më larg sesa thjesht dobësimi – duke ofruar një mënyrë të mundshme për të kthyer mbrapsht orën biologjike, siç raportojnë “New Scientist” dhe më herët edhe BBC.
Prej vitesh, studiuesit kanë sugjeruar se semaglutidi mund të ngadalësojë plakjen qelizore, bazuar në eksperimente me kafshë dhe vëzhgime te njerëzit. Por tani, një provë klinike ka dhënë për herë të parë prova të drejtpërdrejta për këtë efekt.
Studiuesi Varun Dwaraka nga kompania e diagnostikimit TruDiagnostic në Kentaki, e cilëson këtë zbulim si një pikë kthese në debatin rreth këtyre ilaçeve. Studimi përfshiu 108 persona me lipohipertrofi të lidhur me HIV, një gjendje që shkakton akumulim të yndyrës dhe përshpejton plakjen e qelizave.
Gjysma e pjesëmarrësve morën një dozë javore të Ozempic për 32 javë, ndërsa gjysma tjetër mori një placebo. Përmes analizës së mostrave të gjakut para dhe pas studimit, u mat mosha biologjike e pjesëmarrësve me anë të orëve epigjenetike – një metodë që analizon shenjat kimike në ADN për të treguar sa shpejt po plaket organizmi.
Rezultatet ishin tronditëse. Dwaraka deklaroi:
“Ata që morën semaglutid u bënë mesatarisht 3.1 vite më të rinj biologjikisht deri në fund të studimit.”
Grupi me placebo nuk tregoi ndonjë ndryshim të dukshëm. Për më tepër, u zbulua se semaglutidi ngadalësoi procesin e plakjes në disa organe dhe sisteme, veçanërisht në sistemin inflamator dhe tru, ku u vërejt një vonesë deri në pesë vite të plakjes biologjike.
Sipas Dwaraka-s, këto efekte vijnë nga aftësia e semaglutidit për të përmirësuar shpërndarjen e yndyrës dhe shëndetin metabolik. Yndyra e tepërt rreth organeve çliron molekula që përshpejtojnë plakjen dhe dëmtojnë ADN-në.
Duke e reduktuar këtë yndyrë dhe duke zbutur inflamacionin kronik, Ozempic krijon një mjedis më “të ri” biologjik.
Edhe pse ky studim u fokusua te persona me lipohipertrofi të lidhur me HIV, Dwaraka thekson se shumica e rrugëve biologjike të prekura nga semaglutidi nuk janë të kufizuara vetëm te kjo gjendje, duke shtuar:
“Prandaj, është e mundur që efekte të ngjashme në plakjen epigjenetike të vërehen edhe në popullata të tjera.”
Randy Seeley nga Universiteti i Mjekësisë i Miçiganit nuk u habit nga gjetjet. Ai beson se përfitimet vijnë nga fakti që ilaçi ul stresin qelizor dhe inflamacionin, të dy faktorë kyç në procesin e plakjes:
“Të dyja janë nxitës madhorë të plakjes në shumë tipe qelizash,” – thotë ai.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë të mos nxitohet me përdorimin e Ozempic thjesht si kurë kundër plakjes.
“Përdorimi i tij si terapi anti-plakje në mënyrë të përgjithshme është i parakohshëm,” – paralajmëron Dwaraka.
Por me rritjen e interesit për ri-përdorimin e barnave ekzistuese në luftën kundër plakjes, semaglutidi mund të jetë shumë shpejt në qendër të kësaj gare globale për ta ngadalësuar vetë plakjen.