Shtëpia e superyllit të muzikës pop, Rihanna, në Beverly Hills ka qenë shënjestër e të shtënave me armë zjarri. Sipas burimeve të policisë për Los Angeles Times, këngëtarja ka qenë brenda në vilë në momentin e incidentit, por fatmirësisht asnjë person nuk ka mbetur i lënduar. Policia e Los Anxhelosit ka ndërhyrë menjëherë, duke arritur të lokalizojë dhe të vërë në pranga autoren e dyshuar.
Autoritetet iu përgjigjën raporteve për të shtëna rreth orës 13:15 (me orën lokale) të ditës së diel. Policia tha se e dyshuara, një grua rreth të 30-ave, ndaloi makinën e saj jashtë banesës dhe qëlloi shtatë herë para se të largohej me shpejtësi, ndërsa në vendngjarje u gjetën gëzhoja të një arme automatike (pushkë sulmi). Automjeti i saj u gjet rreth 12 kilometra larg shtëpisë së këngëtares, ku dhe u bë arrestimi, ndërkohë që identiteti i saj ende nuk është bërë publik.
Ky incident tronditës vjen në një periudhë me plot zhvillime për 37-vjeçaren, e cila shtatorin e kaluar mirëpriti fëmijën e saj të tretë, një vajzë, me partnerin A$AP Rocky. Çifti, që ka edhe dy djem (Riot dhe RZA), ka qenë në qendër të vëmendjes edhe në shkurt, kur reperi u shpall i pafajshëm në një gjyq për armëmbajtje dhe të shtëna. Rihanna, e cila së fundmi festoi 20-vjetorin e albumit të saj të parë, ka një pasuri të vlerësuar mbi një miliard dollarë falë karrierës muzikore dhe bizneseve të saj të suksesshme. /Prive By Liberta Spahiu


