Nëse menduat se interneti e dha maksimumin e tij me videon e Donald Trump dhe Nicki Minaj, prisni pak sa të shihni versionin “Made in Kosova” që po bën namin orët e fundit. Ethet e trendit viral “Favorite President” kanë zbarkuar zyrtarisht në Prishtinë dhe protagoniste nuk janë emra të zakonshëm, por vetë Presidentja Vjosa Osmani dhe reperja Tayna. Ky moment epik, që pakkush mund ta imagjinonte, ndodhi gjatë premierës së filmit dokumentar “Melania”, një dedikim për Zonjën e Parë të SHBA-ve, e cila u shfaq mbrëmë nën patronatin e Presidencës.
Dyshja vendosi të thyejë çdo kornizë të ngurtë zyrtare duke rikrijuar atë videon e famshme që pushtoi TikTok-un, por kësaj radhe me një sharm krejt shqiptar. Tayna, e cila gjithmonë di si t’i vërë flakën rrjetit, ndau videon me ndjekësit e saj, por ishte mbishkrimi ai që vulosi gjithçka: “Ata e bënë trendin, ne e vazhdojmë mandatin”. Një lojë fjalësh gjeniale që ndërthur mjeshtërisht botën e spektaklit me politikën e lartë, duke lënë hapësirë për të qeshura dhe interpretime dashamirëse mbi “vazhdimësinë” politike.
Është një pamje krejt ndryshe të shohësh të parën e shtetit në një dimension kaq sportiv, duke dëshmuar se Presidenca mund të jetë serioze në punë, por edhe në hap me kohën kur fiken dritat e protokollit. Nga ana tjetër, Tayna tregon se është në lartësinë e duhur për të qëndruar krah figurave më të rëndësishme të vendit.
Kur bëhet fjalë për viralitet, ky kombinim ishte pikërisht ajo që na duhej për ta mbyllur javën me stil.
/Prive By Liberta Spahiu


