Për dy vite me radhë, një nga personazhet më të ndjekur dhe të komentuar të rrjeteve sociale u tërhoq plotësisht nga sytë e publikut. Armonda, e cila kishte mbledhur qindra mijëra ndjekës përmes postimeve të saj, vendosi të stakonte gjithçka në heshtje, duke lënë pas shumë pikëpyetje. Tani, ajo është rikthyer për të dhënë intervistën e saj të parë pas kësaj pauze të gjatë, duke treguar realitetin e saj të vërtetë. Në një rrëfim tejet të ndjerë dhe të drejtpërdrejtë, ajo ka ndarë betejën më të rëndë të jetës së saj, një sfidë të cilën e ka kaluar larg filtrave dhe shkëlqimit të Instagram-it.
Përtej lajmeve për transformimin e saj fizik, ku arriti të humbiste plot 90 kilogramë, Armonda zbuloi se arsyeja kryesore e zhdukjes ishte rrugëtimi i saj i dhimbshëm për t’u bërë nënë.
Gjatë këtyre dy viteve, ajo ka kaluar një kalvar të vërtetë fizik dhe emocional. “Të gjashtën e kam pasur muajin e kaluar. Domethënë, gjashtë aborte brenda dy viteve,” rrëfen ajo me sinqeritet, duke shpjeguar më pas edhe natyrën mjekësore të këtyre dështimeve. Ajo shton se bëhet fjalë për ndërprerje në javët e para: “Nëse trupi e sheh që nuk është një shtatzëni e shëndetshme, automatikisht e aborton… edhe mjekësia në këtë rast nuk mund të bëjë asgjë.”
Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe kontrolleve të vazhdueshme për t’i qëndruar gati vetes, Armonda pranoi se në faza të tilla situata del jashtë kontrollit të saj.
Mes lotëve, por me një qartësi për t’u admiruar, ajo theksoi se tashmë ka gjetur forcën për të pranuar atë që nuk mund ta ndryshojë. Duke kuptuar se disa gjëra mbeten thjesht në dorë të Zotit dhe nuk mund të imponohen me forcë, ajo ka vendosur të bëjë paqe me situatën. Me këtë barrë të lënë pas dhe një ndërgjegjësim të ri, Armonda tashmë është gati të rinisë kapitullin e saj, duke dëshmuar se pas fotove perfekte fshihen shpesh betejat më të forta njerëzore.
Ajo foli edhe për jetën e saj të re, thashethemet për krizë me Flamurin e jo vetëm. /Prive By Liberta Spahiu

