Mbrëmja e sotme e Prime-it në “Ferma VIP” solli atë që të gjithë po prisnin: një përballje të drejtpërdrejtë mes dy emrave të njohur të muzikës shqiptare, Jonida Maliqit dhe Soni Malajt. Pas ditëve me tensione që nisën nga një debat i Jonidës me Malborën dhe ndërhyrjes së Sonit, vajzat u ulën përballë njëra-tjetrës për të sqaruar njëherë e mirë situatën para kamerave.
Ndonëse u munduan të mbanin një profil të qetë duke mohuar se mes tyre ka inate të mbartura nga jashtë, biseda degradoi shpejt në replika të forta dhe zhgënjime të hapura.
Gjatë spektaklit të sotëm, Jonida u shfaq e prerë në qëndrimin e saj, duke lënë të kuptohet se raporti i tyre ka marrë një goditje të fortë. Ajo theksoi se nuk kanë pasur mundësi të flasin me njëra-tjetrën, por i ka qëndruar besnike mendimeve të saj.
Duke e konsideruar të pavend reagimin e Sonit, ajo citoi: “Për mua ishte zhgënjyese. Unë nuk do e bëja po të isha në vendin e saj. Për respekt të kohës që kemi kaluar bashkë.” Për Jonidën, e gjithë kjo dramë ishte thjesht e turpshme dhe një situatë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë mes tyre.
Nga ana tjetër, Soni nuk u tërhoq për asnjë moment nga vendimi i saj për t’i dalë në krah Malborës. Ajo sqaroi se nuk ka asnjë agjendë të fshehtë kundër Jonidës, madje ishte gëzuar pafund kur kishte marrë vesh që do të ishin bashkë në këtë format. Soni theksoi se e vetmja gjë që e shqetësoi ishte tallja që iu bë Malborës, duke e mbrojtur këtë të fundit si një vajzë të artikuluar dhe me formim.
“Unë do reagoja edhe po të ishte anasjelltas,” u shpreh Soni, duke hedhur poshtë akuzat për një konflikt të fshehtë. Megjithatë, ajo e mbylli përballjen duke i lëshuar një kunj të fundit Jonidës me fjalët e drejtpërdrejta: “Ty duhet të të vijë turp nga vetja.” Mbetet për t’u parë nëse ky Prime do të jetë fundi i këtij debati, apo thjesht shkëndija e radhës në “Ferma VIP”. /Prive By Liberta Spahiu


