Tre gabimet që nuk duhet t’i bëni asesi përgjatë agjerimit!
Kjo është fraza që duhet ta mbani në mendje sepse nga dita e sotme, miliona besimtarë në çdo cep të globit, nisën maratonën shpirtërore të tridhjetë ditëve sakrificë. Por kujdes, sepse nutricionistët kanë lëshuar alarmin për disa zakone, të cilat në vend që t’ju ndihmojnë, e trondisin rëndë organizmin tuaj pa e kuptuar fare. Që ky muaj të mos kthehet në një betejë me kokëdhimbjen dhe pafuqinë, ja çfarë duhet të evitoni me çdo kusht.
E para lidhet me të famshmen “Sindroma e Devesë” apo pirjen e ujit me zor në minutat e fundit. Shumica prej jush bëjnë gabimin fatal duke pirë dy litra ujë pesë minuta para Imsakut, me shpresën se po krijojnë rezerva. Ky është një iluzion. Trupi i njeriut nuk funksionon si depozitë dhe veshkat do ta eliminojnë atë ujë brenda dy orësh, duke ju lënë sërish të dehidratuar gjatë ditës dhe duke ju prishur gjumin e natës për vizita të panevojshme në tualet.
E dyta është kurthi i ushqimeve të kripura dhe sheqerit. Nëse tavolina juaj e Syfyrit është e mbushur me suxhuk, turshi apo pite të bardha me reçel, po bëni gabim strategjik. Kripa do t’ju thajë fytin sapo të lindë dielli, ndërsa sheqeri shkakton një rritje eksplozive të insulinës që pasohet nga një rënie drastike. Kjo do të thotë se uria brutale dhe dridhja e trupit do t’ju godasin fuqishëm që në orën dhjetë të mëngjesit.
Dhe e treta, gjumi i menjëhershëm pas ushqimit. Të hani rëndë dhe të shtriheni direkt për të fituar ato pak minuta gjumë, është recetë e sigurt për refluks dhe djegie stomaku gjatë gjithë ditës. Trupi kërkon të paktën dyzet minuta që të nisë tretjen, ndaj bëni kujdes sonte. Qëllimi është pastrimi, jo rëndimi i trupit. Agjërim të lehtë dhe të pranuar për të gjithë! /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


