Në botën e egër dhe të shpejtë të showbiz-it shqiptar, ndonjëherë mjafton vetëm një mospërputhje datash që situata të dalë jashtë kontrollit dhe personazhet publikë të përfundojnë në bankën e të akuzuarve.
Kjo i ka ndodhur së fundmi blogeres së njohur Sarah Berisha, e cila gjatë 24 orëve të fundit është gjendur në qendër të një cikloni kritikash të ashpra online. Gjithçka nisi pas transmetimit të intervistës së saj më të fundit në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, e cila u shfaq në YouTube më 15 Janar 2026.
Një koment i saj mbi përmbytjet në qytetin e saj të lindjes, Durrës, u interpretua nga ndjekësit si një mungesë totale ndjeshmërie dhe arrogance përballë situatës katastrofike që qyteti po kalon aktualisht në këtë fillimviti. Rrjeti “zjeu” nga komentet negative, duke e akuzuar atë se ka harruar realitetin e dhimbshëm të bashkëqytetarëve të saj.
Por, para se të vazhdoni me “gjyqin publik”, Sarah ka nxjerrë faktet në tavolinë dhe duket se kemi të bëjmë me një keqkuptim gjigant të krijuar nga koha e transmetimit. Përmes një reagimi të detajuar në Instagram Story, ajo ka sqaruar se intervista nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet e Janarit. Sarah zbuloi se biseda është xhiruar shumë muaj më parë, saktësisht më 18 Shtator 2025. Kur ajo përmendi përmbytjet, referenca ishte specifike për incidentin e famshëm te “Veliera” që ndodhi në atë periudhë, dhe jo për situatën aktuale shkatërruese.
Ajo pranoi se ndoshta duhet të ishte shprehur më qartë, por nuk i kurseu thumbat e forta për mënyrën se si u menaxhua kjo situatë mediatike. Me një ton të prerë, Sarah u shpreh se dikush duhej të bëhej “kurban i klikimeve” për të gjeneruar zhurmë, dhe kësaj radhe shorti i pafat i ra asaj.
Një situatë e pakëndshme që na kujton se në media, konteksti dhe koha janë gjithçka. /Prive By Liberta Spahiu


