Lady Gaga mund të jetojë për duartrokitjet, por audiencës në Montreal do t’i duhet të presë pak më gjatë për t’ia dhënë ato sërish. Vetëm pak orë përpara se këngëtarja e njohur të ngjitej në skenë si pjesë e turneut të saj “Mayhem Ball Tour”, ajo ka njoftuar anulimin e koncertit për shkak të një infeksioni respirator.
Përmes një postimi në Instagram Story, Gaga ndau lajmin e trishtë me ndjekësit e saj.
“Më vjen shumë keq të ndaj me ju faktin që nuk mund të performoj sonte dhe më duhet të anuloj shfaqjen. Kam luftuar me një infeksion respirator ditët e fundit dhe po bëj gjithçka mundem për të pushuar dhe për t’u rikuperuar, por gjendja është përkeqësuar.”
Edhe pse dëshironte me çdo kusht ta realizonte performancën e saj të tretë në Montreal, 40-vjeçarja u detyrua të dëgjonte trupin dhe mjekun e saj.
“Mjeku im më ka këshilluar rreptësisht të mos performoj sot, dhe të them të drejtën, nuk mendoj se mund t’ju ofroja cilësinë e performancës që meritoni,” shkroi ajo. “E di sa zhgënjyese është kjo. Ndihem jashtëzakonisht keq që po ju zhgënjej. Për të gjithë ata që po vinin sonte, jam absolutisht zemërthyer.”
View this post on Instagram
Këngëtarja shfrytëzoi rastin të falënderonte audiencën për shfaqjet e datave 2 dhe 3 prill, duke i quajtur ato “magjike dhe thellësisht kuptimplota”. Për momentin, mbetet e paqartë nëse koncerti i anuluar do të shtyhet për një datë tjetër.
Lady Gaga është rikthyer në turne që prej korrikut të vitit 2025. Pas Montrealit, ajo pritet të performojë më 9 dhe 10 prill në Saint Paul të Minesotës, përpara se të përmbyllë turneun e saj masiv prej 86 koncertesh në New York City.
Përveç angazhimeve muzikore, Gaga ka pasur një periudhë tepër të ngarkuar. Në shkurt të vitit 2026, ajo triumfoi në ndarjen e çmimeve Grammy. Ndërkohë, artistja po planifikon edhe martesën e saj me të fejuarin Michael Polansky. Edhe pse detajet po mbahen tepër hermetike, Gaga ka premtuar se ajo ditë “do të jetë dita më e bukur e jetës”.
/Prive By Liberta Spahiu



