Një lajm që po cilësohet si revolucionar në botën e mjekësisë ka ardhur nga Rusia. Vaksina e re kundër kancerit, e quajtur Enteromix, ka treguar 100% efikasitet dhe siguri në provat e para klinike tek njerëzit. Rezultatet zyrtare treguan se pacientët pësuan tkurrje të tumoreve pa asnjë efekt anësor serioz – një arritje që deri tani konsiderohej e paarritshme.
Enteromix është zhvilluar duke përdorur teknologjinë mRNA, të njëjtën platformë që bëri të mundur zhvillimin e shpejtë të vaksinave kundër COVID-19. Kjo vaksinë është e personalizuar për çdo pacient me kancer kolorektal, duke u ndërtuar mbi bazën e profilit gjenetik të tumorit. Në këtë mënyrë, sistemi imunitar trajnohet të njohë dhe eliminojë qelizat kancerogjene, duke shmangur dëmet e rënda që shkakton kimioterapia.
Provimet u kryen me 48 vullnetarë nga Qendra Kombëtare Ruse e Kërkimeve Radiologjike, në bashkëpunim me Institutin Engelhardt, ndërsa njoftimi u bë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut 2025. Lajmi ka ngjallur shpresa të mëdha, pasi vaksina ndodhet vetëm një hap larg miratimit nga Ministria e Shëndetësisë së Rusisë.
Një tjetër lajm i rëndësishëm është se autoritetet ruse kanë deklaruar se Enteromix do të ofrohet falas për pacientët brenda vendit, sapo të marrë miratimin përfundimtar. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim se vaksina do të shpërndahet falas për pacientët në mbarë botën – pretendime të tilla janë cilësuar si të pasakta nga fakt-kontroluesit.
Ekspertët e konsiderojnë këtë vaksinë një hap gjigant në imunoterapi, pasi ofron një alternativë më të sigurt dhe inteligjente ndaj kimioterapisë. Nëse rezultatet konfirmohen në prova më të gjera dhe sfidat logjistike kapërcehen, Enteromix mund të hapë një epokë të re në trajtimin e kancerit, duke transformuar mënyrën se si luftohet kjo sëmundje dhe duke ofruar një shpresë të re për pacientët anembanë botës. /Prive By Liberta Spahiu