Nuk ndodh shpesh që të shohim Kosovën dhe Iranin në të njëjtën listë, aq më pak kur bëhet fjalë për ngjarje publike e kulturore. Por ja që teatri ka rregullat e veta dhe shpeshherë bashkon atë që rrethanat e tjera e mbajnë larg. Një detaj mjaft interesant na ka rënë në sy nga kalendari i edicionit të tetë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në Samsun të Turqisë, ku po merr pjesë edhe vendi ynë.
Aktorja dhe bashkë-producentja Gresë Gashi, së bashku me trupën e Teatrit “Adriana” të Ferizajt, kanë udhëtuar drejt Turqisë për të prezantuar komedinë e zezë “9 Shpirtra”.
Ajo që e bën këtë pjesëmarrje një koincidencë mjaft të veçantë është fakti se në të njëjtën skenë të Qendrës së Arteve SBB, performojnë edhe artistë nga Irani. Sipas programit të festivalit, trupa iraniane luan shfaqjen e tyre pikërisht sot, më 24 mars, ndërsa të enjten, më 26 mars, është radha e Kosovës me shfaqjen që atje mban titullin “Dokuz Canlı”.
Kjo tregon se në fund të ditës, arti mbetet gjuha më e mirë universale. Bashkë me Gresën, në skenën e Samsunit do të ngjiten edhe emra të njohur si Teuta Krasniqi, Mevlan Saraçi, Jajush Ramadani, Milot Salihu dhe Dashuri Rexhepi.
Një eksperiencë e bukur për aktorët tanë dhe një moment i mirë për të treguar se kultura e kalon çdo kufi e mosnjohje shtetërore, thjesht dhe pa shumë zhurmë, përmes një performance të mirë në skenë. /Prive By Liberta Spahiu


