Mbrëmjen e djeshme, këngëtari i njohur Gjesti ka fituar lirinë pasi ishte arrestuar një javë më parë për shkak të një përplasjeje me drejtuesit e kompanisë “Onima”. Gjatë konfliktit që çoi në ndalimin e tij, artisti mësohet se mbante me vete edhe një armë pa leje.
Për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje, avokati i këngëtarit, Artan Çerkini, ka dalë në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Shqipëria Live”. Sipas përfaqësuesit ligjor, momenti kur Gjesti u lirua ishte tejet emocionues për të dhe të afërmit e tij, sidomos po të mbahet parasysh një tragjedi e rëndë familjare që ai ka kaluar, ku humbi vëllanë në një aksident.
Për veprimet e kryera, Gjykata ka vendosur ta dënojë këngëtarin me kusht dhe t’i caktojë një gjobë financiare prej 7 mijë eurosh. Nga ana e tij, Gjesti ka shprehur keqardhje të thellë për tonet kërcënuese dhe sjelljen e tij, duke premtuar se nuk do t’i përsërisë më.
Për të shpjeguar dinamikën e saktë të incidentit dhe rrjedhën ligjore, avokati Çerkini deklaroi:
“Incidenti, i cili ka shërbyer si pretekst për ndalimin e Gjestit, i ka paraprirë një mosmarrëveshjeje mes tij dhe kompanisë Onima, që sipas tij kjo kompani i ka borxhe këngëtarit. I revoltuar nga injorimi i kompanisë, Gjesti ka reaguar me ato që edhe ju keni parë. Ai në fakt e ka pranuar se ka thënë fjalë jo të mira, të cilat mund të kenë pasur edhe tone kërcënuese ndaj stafit. I ka dëmtuar edhe disa objekte, dhe ka pasur me vete edhe një armë pa leje. Pastaj, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë. Në seancë ai panoi fajësinë dhe kërkoi falje. Në momentin kur një i dyshuar e pranon fajësinë, nuk caktohet paraburgimi”.
“Një i dyshuar që rrëfen ngjarjen, nuk duhet të mbahet në paraburgim. Ai menjëherë ka shfaqur shenja pendese, edhe të gjithë njerëzit që e njohin e dinë që ai nuk është i dhunshëm, por është një incident i momentit. Gjesti tha se i vjen keq për atë që ka ndodhur. Ky ishte një leksion për Gjestin. Ndjente keqardhje. Po ashtu, premtoi se në të ardhmen nuk do të përsërisë sjellje të kësaj natyre. Me siguri, kur është liruar, ka qenë një moment emocionues, marrë parasysh edhe faktin e tragjedisë familjare. Gjesti nuk ka asnjë masë kufizuese tani, nuk ka pengesa. Nuk është caktuar as ndonjë masë tjetër procedurale. Ai është dënuar me kusht dhe me gjobë. Kjo është çështje penale. Ka marrë edhe një gjobë 7 mijë euro. Primare ka qenë lirimi i Gjestit. Tani ai është i lirë dhe është në një pozitë më të mirë për të marrë vendime. Këshilla e parë për Gjestin është të mos i përsërisë më këto veprime. Mosmarrëveshjet t’i zgjidhi në rrugë ligjore”. /Prive By Liberta Spahiu


