Teksa politika kosovare po kërkon një emër konsensual për presidentin e ardhshëm të vendit, tenori i njohur Ramë Lahaj ka zgjedhur ta komentojë situatën me humor.
Lahaj ka publikuar një fotografi të realizuar më herët në Kuvendin e Kosovës, pikërisht në ulësen e kryetarit, duke shkruar me ironi: “Hapi kandidaturën si president i pavarur”.
“Neve Rugovasve na shkon kryetarallaku!”, ka vazhduar ai me shaka, ndërsa ka shtuar se një nga “të këqijat” e rugovasve është se u duhen rreth dy dekada për t’u kuptuar, por se në fund “dalin shumë përpara faktit që humbim kohë”.
Postimi vjen në një moment interesant politik. Kosova vazhdon të jetë në një ngërç institucional, ndërsa zgjedhja e presidentit të ardhshëm është bërë një prej pikave kyçe të negociatave mes partive. Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kanë konfirmuar se diskutimet po shkojnë drejt propozimit të emrave konkretë për një kandidat që mund të sigurojë mbështetje më të gjerë në Kuvend.
Megjithatë, nga mënyra e formulimit dhe fotografia e vjetër nga Kuvendi, postimi i Lahajt duket qartazi si një batutë dhe jo si njoftim për një kandidaturë reale.
Ramë Lahaj është një prej tenorëve shqiptarë më të njohur ndërkombëtarisht dhe themelues i festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”, i cili prej vitesh sjell në Kosovë artistë të njohur të skenës operistike botërore. /Prive By Liberta Spahiu


