Fituesja e “Big Brother VIP 5”, Selin Bollati, ka ndarë disa detaje nga jeta e saj pas përfundimit të reality show-t, duke folur për marrëdhënien me Gimbon, jetën e saj personale, por edhe për planet e reja në televizion.
E ftuar në një intervistë ekskluzive në “Ftesë në 5”, me moderatore Bieta Sulon, Selin ka treguar se pas eksperiencës në “Big Brother” ka vijuar me projekte të reja, teksa ka zbuluar se do të jetë edhe pjesë e “Goca dhe Gra” në Top Channel, në rolin e moderatores.
Krahas angazhimeve profesionale, Selin foli edhe për marrëdhënien e saj me Gimbon dhe për mënyrën se si ai e ka surprizuar për ditëlindje. Ajo tregoi se për 24-vjetorin e saj, Gimbo i kishte përgatitur plot 24 dhurata, një për çdo vit të jetës së saj.
Mes tyre, dhurata më e shtrenjtë ishte një makinë e re. Selin bëri të ditur se nuk kishte dashur t’i ekspozonte këto dhurata në Instagram, pasi është shumë e kujdesshme me mënyrën se si ndan jetën e saj private me publikun.
Ajo e përshkroi Gimbon si një person shumë bujar dhe zemërgjerë, duke treguar se gjatë sezonit veror kishte qenë një mbështetje e madhe për të. Edhe pse kishte dashur të bënte pushime, kjo nuk kishte qenë e mundur, por Selin tha se ishte shumë e lumtur për suksesin që Gimbo kishte pasur gjatë verës.
Selin u ndal edhe te vëmendja që ka marrë pas “Big Brother”, duke pranuar se bashkë me të kanë ardhur edhe shumë komente e thashetheme. Ajo ka treguar se ka dëgjuar njerëz që e kanë cilësuar si mendjemadhe, arrogante apo që nuk u flet më të tjerëve, por i ka mohuar këto pretendime, duke theksuar se në këtë aspekt jeta e saj nuk ka ndryshuar.
Sa i përket lidhjes së saj, Selin tregoi se pas “Big Brother” e ka kuptuar edhe më shumë se është e dashuruar. Ajo foli me shumë dashuri për Gimbon, duke e përshkruar si një djalë me zemër të madhe, të kujdesshëm dhe shumë familjar.
Sipas saj, shpesh merr mesazhe nga ndjekësit që i thonë se është me fat që ka një partner si Gimbo. Selin pranoi se e konsideron atë në shumë aspekte më të mirë se veten dhe e cilësoi marrëdhënien e tyre si një bekim.
Ajo tha gjithashtu se Gimbo përmbush atë që gjithmonë kishte imagjinuar për partnerin e saj. Edhe pse më herët kishte deklaruar se nuk e preferonte një partner DJ, duket se në rastin e Gimbon gjërat kanë rezultuar ndryshe.
Çifti prej kohësh dihet se bashkëjeton, ndërsa Selin ka zbuluar edhe një detaj të ëmbël nga përditshmëria e tyre: Gimbo është ai që gatuan në shtëpi.
Ndërkohë, për Selinin duket se po nis një tjetër kapitull i rëndësishëm profesional, këtë herë në ekran, me angazhimin e saj si moderatore në “Goca dhe Gra” në Top Channel. /Prive By Liberta Spahiu


