Një histori e dhimbshme vjen nga Turqia, ku një 57-vjeçare ka pësuar pasoja të rënda shëndetësore dhe financiare pasi i është nënshtruar një trajtimi në një qendër bukurie.
Serap Kopar, e cila kishte vendosur të eliminonte rrudhat e fytyrës, tani përballet me paralizë të fytyrës dhe një skemë të dyshimtë mashtrimi.
Ajo e gjeti qendrën e bukurisë në internet, e joshur nga vendndodhja qendrore dhe pretendimet e stafit se aty trajtoheshin edhe fytyra të njohura.
Pas një takimi fillestar, ku stafi i kërkoi 75 mijë lira për ndërhyrjen, çmimi u ul në 50 mijë lira pas negociatave.
Për më tepër, punonjësit e qendrës e mashtruan duke i thënë se pagesa mund të ndahej në 10 këste pa interes, përmes një “Fondi Shëndetësor” të Ministrisë së Shëndetësisë.
Pavarësisht shqetësimeve të saj se nuk ndiente mpirje dhe kishte frikë nga gjilpërat, Kopar u dërgua shpejt në dhomën e procedurës.
Në fytyrë iu futën një numër i madh gjilpërash me lëngje të ndryshme, duke shkaktuar dhimbje të mëdha.
Ditët në vijim, ajo filloi të kishte njolla dhe lëkurë të thatë në trup, dhimbje koke dhe humbje të ndjeshmërisë.
Përfundimisht, ajo u diagnostikua me paralizë të fytyrës.
Ajo aktualisht ka gojën e shtrembëruar, fytyrën e varur, probleme me dëgjimin dhe nuk mund t’i mbyllë sytë gjatë gjumit.
Sipas mjekëve, ajo do të ketë nevojë për muaj të tërë terapi fizike për të parë nëse do të ketë përmirësime.
Përveç dëmit shëndetësor, Kopar zbuloi se ishte viktimë e një skeme financiare.
Pagesa prej 50 mijë lirash u tërhoq nga një pajisje POS që i përkiste një argjendari dhe jo nga Fondi i Shëndetësisë.
Këstet e premtuara nuk u reflektuan dhe shuma u tërhoq e plotë.
Kur u përball me qendrën e bukurisë, ata e anuluan transaksionin dhe dërguan paratë nga llogaria e një prodhuesi mobiliesh, por duke e ndarë në vetëm 4 këste.
Bashkëshorti i Serapit arriti të kontaktojë argjendarin, pajisja e të cilit ishte përdorur për transaksionin.
Ai u shpreh se e kishte huazuar pajisjen përkohësisht, duke mohuar çdo lidhje me qendrën e bukurisë dhe duke pretenduar se edhe vetë është viktimë.
Ndërkohë, Kopar ka bërë të ditur se nga kjo qendër janë mashtruar edhe qindra persona të tjerë.
Ajo tashmë ka ngritur një padi dhe është e vendosur ta ndjekë betejën ligjore deri në fund për të zbardhur të vërtetën dhe për të kërkuar drejtësi. /Prive By Liberta Spahiu



