WhatsApp është një nga aplikacionet më të përdorura për komunikim, por jo çdo mesazh që marrim është i sigurt.
Mashtruesit po përdorin metoda të ndryshme për të vjedhur të dhëna personale, për të marrë kontrollin e llogarive apo për të përfituar para nga përdoruesit.
Ja shtatë mënyrat e mashtrimit që duhet t’i keni parasysh:
1. Mesazhet nga familjarë të rremë
Mashtruesit prezantohen si familjarë apo miq që kanë ndryshuar numrin e telefonit. Pas disa mesazheve, zakonisht kërkojnë para, duke pretenduar se kanë një rast urgjent.
2. Vjedhja e llogarisë përmes kodit të verifikimit
Nëse dikush ju kërkon kodin gjashtëshifror që keni marrë me SMS, bëni kujdes. Duke ia dhënë këtë kod, mund t’i mundësoni të marrë kontrollin e llogarisë suaj në WhatsApp.
3. Ofertat e rreme të punës
Mesazhet që premtojnë fitime të mëdha për punë të thjeshta, si pëlqimi i videove apo ndjekja e faqeve, mund të jenë mashtrime. Shpesh, përdoruesve u kërkohet të paguajnë për të vazhduar punën ose për të tërhequr fitimet e pretenduara.
4. Dhuratat dhe shpërblimet falas
Një telefon i ri, një kupon blerjesh apo një shpërblim i papritur mund të duken si oferta të mira. Megjithatë, lidhjet që shoqërojnë këto mesazhe mund t’ju drejtojnë në faqe të rreme, ku kërkohen të dhënat tuaja personale.
5. Investimet me fitime të garantuara
Mashtruesit krijojnë grupe në WhatsApp ku premtojnë fitime të shpejta nga investimet, veçanërisht në kriptovaluta. Pasi i bindin përdoruesit të investojnë, ata mund të zhduken bashkë me paratë e tyre.
6. Kodet QR të dyshimta
Një kod QR që ju dërgohet për të marrë pjesë në një konkurs apo për të përfituar një shpërblim mund të fshehë një mashtrim. Në disa raste, skanimi dhe konfirmimi i tij mund t’i japin një personi tjetër qasje në llogarinë tuaj.
7. Mesazhet e rreme nga bankat
Mashtruesit mund të prezantohen si përfaqësues të bankave dhe t’ju njoftojnë se llogaria juaj është bllokuar. Më pas, ju kërkojnë të klikoni në një lidhje ose të jepni të dhënat bankare për të zgjidhur problemin e pretenduar.
Mos ua jepni të tjerëve kodet e verifikimit, shmangni hapjen e lidhjeve të dyshimta dhe verifikoni gjithmonë identitetin e personave që ju kërkojnë para.
Si të mbroheni?
Gjithashtu, aktivizoni verifikimin me dy hapa dhe kontrolloni herë pas here pajisjet e lidhura me llogarinë tuaj në WhatsApp.
Një moment pakujdesie mund të mjaftojë për të rrezikuar të dhënat personale dhe paratë tuaja. /Prive By LS


