Disa nga aleatët më të ngushtë të SHBA në mbarë botën kanë reaguar ndaj sulmit të Trump ndaj Iranit, me përgjigje të përziera, ndërsa kërcënimi i hakmarrjes së mundshme qëndron pezull mbi SHBA.
Zyrtarë të lartë të ushtrisë iraniane kanë paralajmëruar se do të japin një “përgjigje vendimtare”, vetëm një ditë pasi Trump “shkatërroi plotësisht” tre nga objektet bërthamore më të rëndësishme të Iranit: Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Bota po mban frymën, ndërsa frika për hakmarrjen e Iranit po rritet, përfshirë edhe mundësinë e një sulmi terrorist nga “qeliza gjumi” në SHBA – domethënë terroristë ose agjentë të fshehtë tashmë të vendosur në territorin amerikan, që aktivizohen për të kryer sulme.
Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, deklaroi në rrjetet sociale më 22 qershor se SHBA “ka kryer një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së, ligjit ndërkombëtar dhe Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT)” duke sulmuar objektet e saj paqësore bërthamore. Ai paralajmëroi se SHBA do të përballet me “pasoja të përjetshme”.
Si nisi konflikti?
Konflikti shpërtheu më 13 qershor, pasi Izraeli sulmoi objekte ushtarake dhe bërthamore iraniane, duke vrarë shkencëtarë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë. Irani u kundërpërgjigj, duke e zhytur rajonin në një përplasje të vazhdueshme që deri tani ka lënë të paktën 950 të vdekur në Iran dhe 24 në Izrael.
Ministri i Jashtëm iranian është tani në bisedime me presidentin rus Vladimir Putin për “sfida dhe kërcënime të përbashkëta”.
Franca
Ministri i Jashtëm Jean-Noël Barrot theksoi se Franca nuk është përfshirë në konflikt dhe shprehu “shqetësim” për sulmet:
“Franca ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e saj të fortë ndaj përpjekjeve të Iranit për të siguruar armë bërthamore.”
Australia
Kryeministri Anthony Albanese deklaroi: “Veprimi i SHBA ishte i drejtuar ndaj objekteve kyçe të programit bërthamor të Iranit. Ne nuk duam përshkallëzim apo një luftë të përgjithshme, por Irani nuk mund të lejohet të marrë armë bërthamore.” Ai akuzoi gjithashtu Iranin për mosrespektim të detyrimeve ndërkombëtare.
Japonia
Kryeministri Shigeru Ishiba kërkoi ulje të tensioneve: “Ndërkohë, zhvillimi i armëve bërthamore nga Irani duhet ndalur.”
Mbretëria e Bashkuar
Kryeministri Keir Starmer kërkoi zgjidhje diplomatike: “Irani përbën një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare. Nuk mund të lejohet të zhvillojë armë bërthamore.” Sekretari i Jashtëm David Lammy shtoi se Britania nuk ishte pjesë e sulmit dhe bëri thirrje për përmbajtje dhe diplomaci.
Katar
Ministria e Jashtme paralajmëroi për pasoja të rënda: “Tensionet e rrezikshme që po përjeton rajoni do të çojnë në përshkallëzime katastrofike, si në nivel rajonal ashtu edhe ndërkombëtar.” U bë thirrje për vetëpërmbajtje nga të dyja palët.
Arabia Saudite
Ministria e Jashtme shprehu “shqetësim të thellë” për përshkallëzimin: “Bota duhet të punojë për një zgjidhje diplomatike që garanton fundin e krizës dhe hap rrugën për stabilitet në rajon.”
Kuvajti
Ministria e Jashtme kërkoi: “Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të përmbushë përgjegjësitë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.”
U kërkua gjithashtu ndalim i menjëhershëm i çdo përshkallëzimi dhe armëpushim i plotë. /Prive By Liberta Spahiu