Thomas Lee Gudinas, 51 vjeç, është personi më i fundit që është ekzekutuar në shtetin e Floridës.
Gudinas u dënua me vdekje për përdhunimin dhe vrasjen e Michelle McGrath, një grua 27-vjeçare, ngjarje që ndodhi në vitin 1994.
Më 24 maj të atij viti, McGrath u pa për herë të fundit në klubin Barbarella’s në Orlando, Florida, në orët e para të mëngjesit.
Gudinas ishte parë gjithashtu në të njëjtin lokal një natë më parë, së bashku me disa miq të tij.
Trupi i McGrath u gjet disa orë më vonë në një rrugicë pranë një shkolle nga një punonjës i saj, i cili gjithashtu tha se kishte parë Gudinas duke ikur nga vendi i ngjarjes pak çaste më parë.
Trupi i viktimës kishte shenja dhune seksuale dhe trauma.
Autoritetet besojnë se ajo ishte me një shoqe atë natë dhe u sulmua teksa po shkonte drejt makinës së saj.
Gudinas u shpall fajtor për vrasjen dhe u dënua me vdekje në vitin 1995. Ai ka qëndruar në radhën e të dënuarve me vdekje për rreth 30 vjet.
Zyrtarët raportuan se vakti i tij i fundit përfshinte picë, patate të skuqura dhe një pije freskuese. Ai u shpall i vdekur në orën 18:13 me orën lokale, të martën, më 24 qershor.
Sipas Associated Press, pasi iu injektua doza vdekjeprurëse, fjalët e fundit të Gudinas nuk u dëgjuan qartë nga dëshmitarët. Megjithatë, zyra e guvernatorit Ron DeSantis publikoi një deklaratë për momentet e fundit të të dënuarit.
Zëdhënësi Bryan Griffin tha se Gudinas shfaqi pendesë dhe përmendi Jezusin.
Para ekzekutimit, Gudinas nuk kërkoi të takonte ndonjë këshilltar shpirtëror dhe i vetmi që e vizitoi ishte nëna e tij.
Dëshmitarët e ekzekutimit thanë se, pasi ilaçi i vdekjes hyri në trupin e tij, sytë iu rrokullisën mbrapa, kraharori filloi t’i dridhej dhe fytyra nisi të humbiste ngjyrën, para se të bëhej plotësisht i palëvizshëm.
Nuk dihet nëse prindërit e McGrath ishin të pranishëm gjatë ekzekutimit. Në kohën kur Gudinas u shpall fajtor, babai i saj, Douglas McGrath, deklaroi:
“Duket si një humbje tragjike e jetës së tij dhe e jetës së vajzës sime. Ne jemi të privuar nga vajza jonë… përgjithmonë.”
Gudinas është personi i shtatë i ekzekutuar në Florida këtë vit dhe i 24-ti në SHBA për vitin 2025.
Florida është aktualisht shteti me më shumë ekzekutime në SHBA për këtë vit.
Zëdhënësi i Departamentit të Burgjeve, Ted Veerman, komentoi pas ekzekutimit duke thënë:
“Stafi ynë po bën një punë fantastike për të ndjekur ritmin e këtyre ekzekutimeve. Dhe po i realizojmë ato në mënyrë profesionale.”/Prive By Liberta Spahiu