Alaudin Hamiti ka dhënë së fundmi një intervistë për revistën ndërkombëtare “Prensario”, një nga platformat më prestigjioze të industrisë së medias globale.
https://www.prensario.net/Content-with-identity-Artmotion-Kosovos-plan-49548.note.aspx
Në cilësinë e Drejtorit të Përmbajtjes në Artmotion, ai ka ndarë vizionin strategjik të kompanisë për vitin 2025 – një rrëfim i sinqertë për sfidat, ambiciet dhe betejat që po zhvillohen për të ruajtur identitetin e përmbajtjes lokale në një treg gjithnjë e më të globalizuar.
Në reagimin e tij në rrjete sociale, Hamiti u shpreh:
Nuk ka ndjesi më të mirë sesa kur puna, pasioni dhe përkushtimi marrin vëmendje edhe përtej kufijve.
Ai shtoi se për të, kjo intervistë ishte më shumë se një shpjegim strategjie – ishte një reflektim personal mbi një rrugëtim me shumë përkushtim, përgjegjësi dhe dashuri për tregun kosovar.
Në intervistë, Hamiti shpjegon se strategjia e përmbajtjes për 2025 në Artmotion fokusohet në krijimin e përmbajtjes me ndikim të lartë dhe kosto të arsyeshme, të përshtatur me nevojat specifike të tregut kosovar. Synimi është të ofrohet përmbajtje që jo vetëm i tërheq shikuesit, por që garanton mbrojtje të fortë të të drejtave të transmetimit – një domosdoshmëri përballë sfidave të piraterisë dhe fragmentimit të tregut.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutuar është rëndësia e ekskluzivitetit dhe përmbajtjes me lidhje lokale. Këto, sipas Hamitit, janë kyçe për të fituar dhe mbajtur besnikërinë e audiencës. Ai vlerëson lart ndikimin që kanë sportet, sidomos futbolli, si dhe formatet e reality TV si Big Brother, të cilat vazhdojnë të dominojnë me shikueshmëri të lartë në të gjitha grupmoshat.
Kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e përmbajtjes, ai thekson një proces të kujdesshëm që përfshin analiza të tregjeve rajonale, krahasime me territore të ngjashme dhe të dhëna të brendshme nga ekipet e programimit dhe shpërndarjes. Por mbi të gjitha, përmbajtja duhet të përshtatet me audiencën kosovare – kjo është një kusht i panegociueshëm, siç e thekson ai.
Në një peizazh të ndërlikuar dhe gjithnjë në ndryshim të tregut të përmbajtjes, Hamiti vë theksin në domosdoshmërinë e marrjes së vendimeve të kujdesshme në blerje dhe bashkëpunime. Ai shprehet se përpos fitimit dhe potencialit të reklamimit, vendimtare mbetet siguria e të drejtave dhe ekskluziviteti që një përmbajtje mund të ofrojë.
Në fund, ai pranon se presioni i platformave globale të transmetimit ka shtuar kompleksitetin e tregut, por edhe ka hapur rrugën për modele të reja të bashkëjetesës. Televizioni tradicional mbetet thelbësor në Kosovë, por në të njëjtën kohë, marrëveshjet hibride që përfshijnë të drejtat televizive dhe digjitale po bëhen standard i ri.
Me këtë qasje, Artmotion synon të qëndrojë konkurrues dhe të përshtatet me kohën, pa humbur kurrë thelbin e saj: përmbajtjen me identitet.
Vëmendja ndërkombëtare definitivisht e pozicionon Artmotion si ofruesin lider të përmbajtjejeve televizive.
Një qasje pragmatike, por me sy nga e ardhmja – që synon jo vetëm shikueshmëri afatshkurtër, por ndërtimin e vlerës së markës në plan afatgjatë.
/Prive By Liberta Spahiu.