Gjykimi ndaj producentit të njohur muzikor Sean “Diddy” Combs është pranë dhënies së një vendimi, edhe pse juria ende nuk ka arritur marrëveshje për një nga akuzat.
Diddy është gjykuar prej javësh për pesë akuza federale, përfshirë bashkëpunim në organizatë kriminale (racketeering conspiracy) dhe trafikim seksual me forcë, mashtrim apo shtrëngim.
Combs i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij. Gjatë 28 ditëve të gjykimit, juria dëgjoi dëshmi nga dëshmitarë të ndryshëm, përfshirë ish-partneren e tij Cassie Ventura, ish-punonjës dhe edhe punonjës hotelesh.
Sa i përket mbrojtjes së Diddy-t, ai zgjodhi të mos flasë para jurisë dhe ekipi i tij ligjor nuk thirri asnjë dëshmitar.
Pas kësaj, juria u tërhoq për të diskutuar dhe të martën (1 korrik), konfirmoi se kishte arritur një vendim të pjesshëm pas 12 orësh diskutimi.
Në një shënim drejtuar gjykatës, thuhej: “Kemi arritur një vendim për akuzat 2, 3, 4 dhe 5.” Këto lidhen me dy akuza për trafikim seksual dhe dy akuza për transportim me qëllim prostitucioni.
Më tej thuhej: “Nuk kemi arritur një vendim për akuzën nr. 1 sepse kemi juristë të papajtueshëm nga të dyja anët.”
Kjo akuzë ka të bëjë me bashkëpunimin në organizatë kriminale sipas ligjit RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations), një ligj i krijuar fillimisht për të çmontuar organizatat mafioze, por që sot aplikohet edhe më gjerë.
Në rastin e Diddy-t, aktakuza pretendon se ai ka kthyer bizneset e tij – përfshirë Bad Boy Records – në një organizatë kriminale “për të përmbushur dëshirat e tij seksuale, për të mbrojtur reputacionin dhe për të fshehur sjelljen e tij.”
Pasi shënimi u lexua në sallën e gjyqit, si prokurorët ashtu edhe avokati i Combs, Marc Agnifilo, i thanë gjyqtarit se nuk dëshironin që të pranohej një vendim i pjesshëm.
Agnifilo tha: “Kërkesa jonë është që t’i thuani jurisë të vazhdojë diskutimin dhe të mos pranohet vendimi i pjesshëm.”
Në këtë mënyrë, gjyqtari ishte në gjendje të jepte atë që quhet një Allen charge – një udhëzim i veçantë që gjyqtari i jep jurisë për të inkurajuar anëtarët që janë në pakicë të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre në dritën e mendimit të shumicës, me shpresën për të arritur një marrëveshje.
Kjo praktikë mban emrin e çështjes së Gjykatës së Lartë të vitit 1896 Allen kundër Shteteve të Bashkuara.
Në këtë çështje, gjykata miratoi përdorimin e udhëzimeve të tilla për juritë federale, për sa kohë që ato nuk janë detyruese apo të shtrënguara.
Megjithatë, juristët nuk janë kurrë të detyruar të ndryshojnë një mendim të sinqertë dhe nuk duhet ta braktisin atë vetëm për të arritur unanimitetin.
Nëse në fund të diskutimeve juria ende nuk arrin marrëveshje unanime, ata e informojnë gjyqtarin se janë të bllokuar.
Gjyqtari mund ta përsërisë ose ta ndryshojë Allen charge-in edhe një herë tjetër, por nëse sërish nuk arrihet një vendim unanim, ai e shpall gjyqin të pavlefshëm – që do të thotë se çështja përfundon pa një zgjidhje dhe zakonisht vendoset një gjykim i ri.
Diskutimet për çështjen e Diddy-t do të rinisin të mërkurën në mëngjes nga ora 09:00, më 2 korrik.
Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, Combs përballet me burgim të përjetshëm. /Prive By Liberta Spahiu