Erika Lane Frantzve, bashkëshortja e aktivistit të diskutueshëm amerikan Charlie Kirk, ndau një postim në rrjetet sociale që lexuesit tani po e shohin në një dritë të re, pasi bashkëshorti i saj u vra nga një e shtënë me armë në moshën vetëm 31-vjeçare.
Frantzve dhe dy fëmijët e vegjël që ajo kishte me Kirk ishin të gjithë të pranishëm në një debat në Utah Valley University më 10 shtator, kur Kirk u vra nga një plumb i vetëm i qëlluar nga një çati aty pranë.
Kirk ndodhej në debat me organizatën e tij, Turning Point, të cilën e kishte bashkëthemeluar që në moshën 18-vjeçare. Qëllimi i organizatës ishte të përhapte idealet konservatore në kolegjet amerikane, të cilat zakonisht janë më të prirura nga ana liberale.
Kirk u bë një figurë e diskutueshme teksa debatonte me studentë për tema si identiteti transgjinor, ndryshimet klimatike dhe vlerat familjare.
Pamjet nga debati tregojnë Kirk-un nën një tendë të bardhë, duke folur në mikrofon përpara një turme, kur papritur u qëllua.
Donald Trump, me të cilin Kirk kishte një marrëdhënie të ngushtë aleance, më vonë konfirmoi lajmin e vdekjes së tij përmes një postimi në Truth Social, ku e përshkroi Kirk-un si një “legjendë”.
Vëmendja tani është kthyer tek lëvizjet e fundit të Kirk dhe familjes së tij para të shtënës, dhe përdoruesit e rrjeteve sociale vunë re se Frantzve kishte ndarë një varg nga Bibla para atentatit, i cili u bë edhe më prekës pas ngjarjes.
Në një postim në X (ish-Twitter), ajo shkroi në orën 12:45 pasdite:
“Psalmi 46:1 – Perëndia është streha dhe forca jonë, ndihmë shumë e pranishme në vështirësi.”
Brenda pak orësh, lajmi për vdekjen e Kirk-it u konfirmua.
Që atëherë, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë përmbytur Frantzve me mesazhe ngushëllimi. Një person shkroi:
“Jezusi po të mban në përqafimin e tij të ngrohtë. Zemrat tona janë të thyera.”
Një tjetër shtoi:
“Fakti që e postove këtë para ngjarjes, është një dëshmi e Zotit.”
Ndërsa një i tretë shkroi:
“Bashkëshorti yt është me Jezusin. Ai ishte një hero dhe një frymëzim. Do ta takosh sërish, edhe pse e di që kjo nuk është ngushëllim për ty dhe fëmijët e tu të çmuar tani. Më vjen shumë keq që po kaloni këtë. E keqja është bërë e zakonshme në këtë vend.”
Frantzve, e cila u shpall Miss Arizona USA në vitin 2012, u martua me Kirk në vitin 2021, pasi u njohën tre vite më parë.
Në një postim në Instagram në vitin 2022, Frantzve shprehej me dashuri për bashkëshortin e saj:
“Zoti e ka ditur gjithmonë që ishe ti. Charles James, ti je e sotmja ime dhe të gjitha të nesërmet e mia. Sa me fat jam që të kam burrë dhe sa e nderuar që jam gruaja jote. Uroj që martesa jonë të vazhdojë të lavdërojë Zotin. Të dua pafund.”
Pas martesës, Frantzve dhe Kirk u bënë prindër të dy fëmijëve: një vajzë e lindur në gusht 2022 dhe një djalë i lindur në maj 2024.
/Prive By Liberta Spahiu