DJ Dagz ka ndarë me ndjekësit një nga momentet më të vështira të jetës së tij, duke zbuluar se babai i tij ndodhet në spital, ku prej tri ditësh është i intubuar dhe po lufton për jetën.
Përmes një postimi emocional në Instagram, artisti ka treguar se gjatë 17 viteve të karrierës së tij si DJ është përballur me shumë sfida personale dhe familjare, por babai ka qenë gjithmonë personi që e ka inkurajuar të mos heqë dorë nga pasioni për muzikën, edhe në ditët më të vështira.
“Sot babi është në ditën e tretë në intubim dhe në luftë me jetën”, ka shkruar Dagz, duke treguar se pikërisht sonte ka një event të planifikuar, në të cilin nuk dëshiron të marrë pjesë për shkak të gjendjes së babait.
Megjithatë, ai thotë se fjalët dhe mbështetja e vazhdueshme e të atit po i japin forcë të vazhdojë.
“Diçka brenda meje po më thotë: ‘Shko, djali jem, se kjo të bën të lumtur’”, është shprehur artisti, duke kujtuar mënyrën se si babai e ka motivuar gjithmonë.
Në fund, Dagz i ka drejtuar një mesazh prekës të atit, me shpresën se do ta fitojë këtë betejë.
“Unë jam i fortë, babë, ashtu siç ti ke pasur qejf të jem. Tash është koha që edhe ti të jesh i fortë e të kthehesh shumë shpejt prapë me neve”, ka përfunduar ai. /Prive By LS



