Rikthimi i Gjestit në skenën muzikore nuk ishte thjesht një publikim i radhës, por një demonstrim i pastër force në tregun digjital që po i habit të gjithë. Pas një periudhe të vështirë shkëputjeje për shkak të humbjes së vëllait, artisti ka kanalizuar dhimbjen në art dhe rezultati është asgjë më pak se historik.
Kënga e tij e re “Memories”, e publikuar vetëm dje nën vulën e Three60 Music, ka arritur një sukses të frikshëm, duke u renditur e 11-ta në “Trending Worldwide” për videoklipe muzikore – një arritje masive për një artist shqiptar që tregon se muzika e tij ka thyer çdo barrierë gjuhësore.
Nuk bëhet fjalë thjesht për klikime, por për dominim total në territorin evropian. Projekti ka “ngrirë” konkurrencën duke kapur vendin e parë në plot pesë shtete: Shqipëri, Austri, Zvicër, Gjermani dhe Maqedoni të Veriut. Kjo tregon qartë mbështetjen e jashtëzakonshme të diasporës, e cila e ka përqafuar menjëherë baladën e ndjerë.
Por harta e suksesit nuk ndalet këtu; Gjesti ka hyrë fuqishëm në “Top 10” edhe në tregje gjigante si Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.

Duket se ky projekt, i cili vjen si dedikim dhe pasqyrë e një gjendjeje të rënduar emocionale, ka rezonuar thellë me publikun. Videoja e xhiruar në Berlin ka transmetuar me vizualitet të ftohtë ndjenjën e këngës, duke e bërë atë të pëlqehet edhe në vende si SHBA, Belgjikë e Holandë ku tashmë figuron në listat trending.
Me këto statistika që flasin vetë pa pasur nevojë për zhurmë të tepërt, Gjesti konfirmon se vendi i tij në showbiz është i palëkundur dhe se ky rikthim është vetëm fillimi i një kapitulli të ri. /Prive By Liberta Spahiu


