Drama vazhdon dhe duket se tensionet nuk kanë ndërmend të qetësohen së shpejti pas përplasjes fizike në mes të Prishtinës. Pasi u bë kryefjalë e mediave për sulmin ndaj gazetarit të Nacionales, Burim Pacolli, reperi Gramos Krasniqi, i njohur si Moss Della, ka vendosur të thyejë heshtjen. Përmes një postimi të gjatë në llogarinë e tij në Instagram, reperi ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke e zhvendosur fajin te inatet personale.
Në reagimin e tij, Mossi lë të kuptohet se gjithçka nisi pasi ai refuzoi të ishte pjesë e një podkasti apo interviste me gazetarin. Sipas reperit, një gazetar profesionist nuk duhet ta marrë punën kaq personale dhe të flasë keq pa ndalur për mundin e tjetrit, vetëm sepse i është refuzuar një ftesë. Ai madje vë në dyshim kompetencat e Pacollit, duke u shprehur se gazetarët duhet të merren me çështje shtetërore apo mjekësore që u interesojnë qytetarëve, dhe jo të bëjnë kritikun e muzikës pa pasur shkollimin e duhur.
Për të justifikuar veprimin e tij, Moss Della shton se kritikat e vazhdueshme për çdo projekt të ri, ende pa u publikuar mirë, janë të tepërta dhe tregojnë një tendencë të qartë për të ulur vlerën e artistit.
Por pjesa më e fortë e deklaratës vjen në fund, ku ai tregon detaje nga ballafaqimi i tyre. Reperi shkruan se kur u takuan, gazetari nuk i mori seriozisht vërejtjet e tij.
Me tone të ashpra, Mossi i drejtohet publikisht duke i thënë se ka menduar që si gazetar është i paprekshëm dhe i mbrojtur për të folur keq sa herë që ai poston një klip. Në mbyllje të reagimit të tij, reperi lë një paralajmërim të prerë, duke theksuar se askush nuk mund të jetë i mbrojtur përderisa flet keq pa ndalim dhe pa nevojë për punën me të cilën tjetri siguron jetesën. Rrjeti tashmë është ndarë në dysh, por një gjë është e sigurt: kjo sagë sapo ka marrë një drejtim krejt tjetër. /Prive By Liberta Spahiu



