Aktori turk, Kıvanç Tatlıtuğ, i cili ka bërë për vete miliona shikues me rolet e tij ikonike, është kthyer sërish në qendër të vëmendjes së mediave rozë. Këtë herë, jo për ndonjë projekt të ri kinematografik, por për shkak të disa imazheve tejet të ëmbla familjare që po bëjnë xhiron e rrjetit.
Ylli turk është fotografuar nga paparacët gjatë pushimeve të tij në bregdetin luksoz të Bodrumit. Ai nuk ishte vetëm, pasi po shijon ditët e nxehta të verës së bashku me bashkëshorten e tij, Başak Dizer, dhe djalin e tyre të vogël, Kurt Efe, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë pushuesve në zonë.
Sipas mediave turke, aktori ka treguar se përveç aktrimit është edhe një adhurues i madh i sporteve të ujit, duke u parë duke bërë jet surf gjatë ditës. Megjithatë, pjesa që ka prekur më shumë ndjekësit ishte pasditja e tij, të cilën ia kushtoi tërësisht të birit të tij të vogël.
Në fotot e publikuara, Kıvanç shihet i zhveshur në pjesën e sipërme, me rroba banjo blu, teksa ndihmon djalin e tij të vogël të peshkojë buzë detit. Këto momente të pastra mes babait dhe birit kanë sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale, ku komentuesit nuk i kanë kursyer fjalët më të mira.
Imazhet kanë marrë menjëherë mijëra pëlqime, ndërsa fansat e kanë cilësuar aktorin si “babai i vitit”. Edhe pse ai përpiqet ta mbajë jetën private larg syrit të publikut, këto shkrepje spontane treguan edhe një herë thjeshtësinë dhe përkushtimin e tij të madh ndaj familjes. /Prive By Liberta Spahiu



