Gazetarët e njohur të ekranit dhe radios, Hana Selimi dhe Agan Hajdarhoxha, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë. Dyshja, e cila për vite me radhë ndau studion dhe punoi krah për krah si kolegë në emisionin e përditshëm radio-televiziv “Hallakama” në Klan Kosova, tani ka nisur një kapitull të ri në jetën e tyre, atë të bashkëshortëve.
Lajmin e bukur e ka ndarë me ndjekësit vetë Hana përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në dedikimin e saj romantik, gazetarja ka zgjedhur të rrëfejë rrugëtimin e tyre të gjatë, duke theksuar se jeta ka mënyra unike për të bashkuar njerëzit dhe se shpesh duhet kaluar nëpër shumë sfida dhe kapituj për të mbërritur tek personi i duhur.
Ajo ka kujtuar se si raporti i tyre nisi fillimisht në bazat e një shoqërie të mirë pune, për t’u rritur më pas në dashurinë e jetës.
“Ti ke hy në jetën teme si shok, je ba dashnia jem e sot je burri jem,” shkruan Hana në postimin e saj. Ajo ka shprehur mirënjohje të thellë për këtë lidhje, duke u shprehur se tek ai ka gjetur jo vetëm partnerin e zemrës, por edhe stabilitetin emocional.
“Çdo ditë e falënderoj Zotin që rrugët tona u kryqëzuan, sepse te ti gjeta jo veç njeriun që e du, por edhe paqen, sigurinë dhe shokun ma të mirë të jetës teme,” ka cituar ajo më tej.
Ky rrugëtim nga kolegë të ngushtë në “Hallakama” në partnerë jete, u mbyll me një deklaratë të fortë dashurie nga ana e gazetares: “E nëse do ta nisja jetën prej fillimit, prapë ty do të zgjidhja.”
Urimet e shumta nga ndjekësit, miqtë dhe kolegët nuk kanë munguar për çiftin më të ri të medias. /Prive By Liberta Spahiu


