Nga podiumet ndërkombëtare te finalet spektakolare, Elton Ilirjani e ka mbyllur sezonin e modës në Paris me tri paraqitje në Palais de Tokyo, duke sjellë tri universe të ndryshme artistike dhe, si gjithmonë, duke marrë rolin e tij të preferuar: finalen e sfilatës.

Në kuadër të Concept Korea, ai u shfaq për brandin korean Asparagus, në një shfaqje të financuar nga qeveria koreane në bashkëpunim me Paris Fashion Week.

Atmosfera ishte energjike dhe avant-garde, me modele të rinj dhe ritëm të shpejtë, ndërsa përvoja dhe karakteri i Eltonit bënë diferencën.
Më pas, në angazhimet për Global Fashion Collective, ai prezantoi krijimin e një stilisti të njohur japonez.

Bëhej fjalë për një fustan unik të realizuar me letër japoneze, i cili i dha paraqitjes një tjetër dimension dhe e ktheu finalen e shfaqjes në një moment të veçantë.

Ndërsa për stilistin meksikan NOLO, një emër avant-garde i kërkuar në New York, Eltoni u shfaq me një kostum me efekt lëkure dhe pasqyra të integruara në look.
Gjatë sfilatës, ai nuk ngurroi të ndalej përpara vendndodhjes së medias dhe t’i përdorte pasqyrat për të rregulluar makeup-in.

Një gjest i vogël, por shumë Elton.
Tri paraqitje, tri estetikë dhe tri mënyra krejtësisht të ndryshme për të treguar të njëjtin avantazh: versatilitetin. Nga energjia koreane te sofistikimi japonez dhe teatraliteti meksikan, Elton Ilirjani e kthen çdo veshje në personazh dhe çdo dalje në performancë.

Kjo paraqitje në Paris vjen si përmbyllje e një sezoni që e çoi Elton Ilirjanin nga Tokio e Seuli në New York, Londër dhe, në fund, në Paris.
Moda ndryshon çdo sezon. Eltoni duket se ka zgjedhur të jetë gjithmonë një hap përpara saj. /Prive By LS



