Raportimet e publikuara gjatë ditës së sotme nga mediumi Publik.Al kanë vënë në pikëpyetje marrëdhënien profesionale mes Nora Istrefit dhe menaxherit të saj, Ceni Kamberi, duke hedhur dritë mbi një çështje që lidhet me një koncert të planifikuar në Chicago.
Në raportimet e publikuara janë përmendur pretendime lidhur me një kapar prej 3,500 dollarësh për koncertin, si dhe një pagesë prej 500 dollarësh që lidhej me vizën e artistes. Po ashtu, janë publikuar disa komunikime që pretendohet se lidhen me pagesat dhe organizimin e koncertit.
Megjithatë, vetë materialet e publikuara nuk e dëshmojnë përfundimisht se shuma është përvetësuar nga Ceni Kamberi. Edhe raportimet theksojnë se nevojiten sqarime të mëtejshme nga palët e përfshira.
Pas gjithë këtyre raportimeve, ka reaguar vetë Nora Istrefi, e cila ka zgjedhur të sqarojë publikisht raportin e saj profesional me menaxherin.
“Sa i përket temës që është bërë publike në disa media, dua të them publikisht edhe shumë qartë se sa i përket marketingut tim me menaxherin Ceni Kamberi, nuk kam pasur asnjë problem dhe nuk kam asnjë pakënaqësi kundër tij”, ka shkruar Nora.
Këngëtarja ka theksuar se Ceni ka qenë gjithmonë korrekt me të, duke mohuar se ka pasur probleme sa i përket pagesave të saj.
“Ceni gjithmonë ka qenë korrekt me mua, të gjitha pagesat m’i ka kryer në mënyrë korrekte dhe ashtu siç jemi marrë vesh”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa sa u përket çështjeve të raportuara në lidhje me organizatorë, këngëtarja është distancuar nga këto pretendime, duke thënë se nuk ka dijeni për to dhe nuk mban përgjegjësi.
“Sa i përket raportimeve, raporteve të mia me organizatorë, kybëa apo persona të tjerë, unë nuk kam dijeni për ato çështje dhe nuk mbaj asnjë përgjegjësi për to. Për këto gjëra ai mund të përgjigjet vetë”, ka shkruar Nora.
“Përsa i përket raportit tim profesional me Cenin, dua ta them shumë qartë, gjithmonë ka qenë korrekt me mua dhe nuk kam pasur asnjë problem me të”, ka përfunduar këngëtarja. /Prive By Liberta Spahiu



