Rezulton se nuk keni nevojë për një rutinë të komplikuar mëngjesi me 12 hapa, një dush me ujë të akullt në agim apo seanca të lodhshme frymëmarrjeje. Nëse mëngjeset tuaja nisin me rritje të kortizolit (stresit) dhe gjëja e parë që bëni është të kontrolloni emailet para se të hapni sytë mirë, kjo është shenja juaj për të ndryshuar qasje, lehtësisht dhe pa u munduar.
Ja dy hapat e vetëm që ju duhen për një fillim dite perfekt:
1. Merrni dritë natyrale para se të hyni në internet
Ky është një nga rregullimet më të nënvlerësuara për sistemin nervor. Dalja jashtë për 10–30 minuta në dritë natyrale gjatë orës së parë të zgjimit ndihmon në rregullimin e ritmit tuaj cirkadian (orës së brendshme që kontrollon gjumin, hormonet dhe energjinë). Drita e mëngjesit ul melatoninën (hormonin e gjumit) dhe nxit kortizolin në një mënyrë të shëndetshme e natyrale, duke ju bërë të ndiheni vigjilentë pa atë ndjesinë e mbingarkesës.
Gjithashtu, kjo nxit prodhimin e serotoninës, e cila në mbrëmje kthehet në melatoninë, duke ju garantuar një gjumë më të mirë. Dhe po, edhe mëngjeset e vranëta vlejnë! Drita e jashtme është shumë herë më e fortë se ajo e dhomës dhe ky sinjal e ndihmon trurin të kuptojë që dita ka filluar.
Çfarë të provoni:
Konsumoni kafen ose çajin në ballkon ose oborr, në vend që të bëni “scroll” në telefon nga krevati.
Bëni një ecje të shkurtër 10-minutëshe për qejfin tuaj (pa pasur nevojë të dëgjoni podcast-e produktiviteti).
Thjesht qëndroni në dritare apo tarracë, duke marrë rrezet e diellit njëlloj si një bimë shtëpie.
2. Hidratohuni para se të konsumoni kafeinë
Para se të pini ekspreson e parë, pini ujë! Pas 7 ose 8 orësh gjumë, trupi juaj është natyralisht i dehidratuar. Për shkak të kësaj dehidrimi, truri juaj mund të tkurret lehtësisht, gjë që ndikon negativisht në humor, kujtesë, fokus dhe energji.
Hulumtimet tregojnë se hidratimi i duhur i mëngjesit (idealisht rreth 500 ml ujë) lidhet me më pak lodhje dhe përmirësim të performancës mendore. Edhe një dehidratim i lehtë shton “mjegullën e trurit” dhe e bën sistemin tuaj nervor të punojë më fort se ç’duhet. Pirja e ujit e stabilizon trupin para se t’i shtoni kafeinë dhe stres nga njoftimet e punës.
Çfarë të provoni:
Ujë me limon, nëse ju pëlqen të ndiheni të freskët.
Ujë me elektrolite nëse jeni person shumë aktiv ose flisni shumë.
Përdorni gotën tuaj të preferuar për t’u motivuar që ta pini të gjithë sasinë.
Pse funksionojnë këto dy këshilla?
Shumë rutina mëngjesi kthehen në një stres të shtuar dhe një listë detyrash nga dëshira për t’u dukur produktivë. Por këto dy zakone funksionojnë sepse rregullojnë bazat e biologjisë sonë. Drita rregullon orën e brendshme, ndërsa uji stabilizon fiziologjinë. Së bashku, ato krijojnë një bazë të qetë para se bota të fillojë t’ju kërkojë llogari. Nesër në mëngjes, provoni vetëm këto dy gjëra dhe trupi juaj do t’ju falënderojë. /Prive By Liberta Spahiu


