Një gjest i madh solidariteti ka ardhur ditën e sotme për ish-banorin e Big Brother VIP, Stenaldo.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, biznesmeni Shaqir Palushi ka njoftuar se Fondacioni Humanitar “Frutex & Golden Eagle” ka ndarë shumën prej 10,000 eurosh për të ndihmuar Stenaldon. Palushi u shpreh se ish-banori na ka treguar të gjithëve se nuk duhet të dorëzohemi kurrë përballë vështirësive, ndërsa u bëri thirrje edhe të tjerëve të bashkohen për të kontribuar në këtë kauzë.
Ky reagim i shpejtë vjen fill pas daljes së Stenaldos ditën e sotme në emisionin “Big Brother Fun Club”. Gjatë intervistës, ai preku zemrat e publikut teksa bëri një thirrje të hapur për ndihmë. Stenaldo theksoi nevojën që ai ka për të siguruar një shtëpi për veten dhe nënën e tij, një rrëfim që mesa duket nuk ka kaluar pa u vënë re.
Kujtojmë se rrugëtimi i Stenaldos në formatin televiziv u ndërpre vetëm pak ditë më parë. Ai u eliminua nga shtëpia e “Big Brother VIP” mbrëmjen e së martës, por fushata e solidaritetit që ka nisur jashtë shtëpisë tregon se fitorja e tij më e madhe mund të jetë pikërisht sigurimi i një strehe të ngrohtë për të.
/Prive By Liberta Spahiu



