Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për reperin e njohur Butrint Januzi, i identifikuar në publik si Buta, si dhe për një shtetas tjetër me inicialet E.H. Ky vendim u mor pas një përleshjeje të dhunshme të ndodhur mes tyre, e cila ka degraduar në përdorimin e armëve të ftohta dhe atyre të zjarrit.
Sipas detajeve të dosjes hetimore, ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e datës 11 prill 2026, rreth orës 20:15, në një parking pranë një lokali në qytetin e Ferizajt. Situata doli jashtë kontrollit pas një debati të çastit, teksa reperi po parkonte automjetin e tij. I pandehuri E.H. i është afruar atij duke iu drejtuar me fjalët “Ku je o B. mangupi” dhe më pas e ka sulmuar me thikë, duke e goditur me dorezë në nofullën e majtë dhe duke tentuar ta qëllojë në kokë.
Në përpjekje për t’u mbrojtur, reperi e ka kapur tehun e thikës me dorë duke pësuar prerje. Gjatë përleshjes, ai është rrëzuar dhe ka marrë lëndime të mëtejshme në krahun e majtë, të cilat janë konfirmuar edhe nga raporti mjekësor. Në këto kushte, Buta ka nxjerrë nga çanta një pistoletë dhe ka shkrepur dy herë në drejtim të tokës. Për shkak se rrahja mes tyre ka vazhduar, arma i ka rënë nga dora.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake, Alba Makolli, e cilësoi të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore. Ndaj të pandehurit E.H. rëndon dyshimi i bazuar për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Nga ana tjetër, ndaj reperit rëndojnë dy akuza: “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjatë kontrollit, autoritetet i sekuestruan reperit pistoletën e llojit “VD-9 4.0” (prodhim amerikan, kalibri 9 mm) së bashku me 13 fishekë, të cilat i posedonte pa lejen e organeve kompetente. Të dy të pandehurit do të mbeten në paraburgim për 30 ditë, ndërsa Gjykata sqaroi se ankesat e mundshme kundër këtij vendimi nuk e pezullojnë ekzekutimin e tij të menjëhershëm.
/Prive By Liberta Spahiu


