I akuzuari Liman Berisha ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti, deklarim ky që erdhi pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arian Frrokaj.
Berisha u shpreh i penduar para gjykatës, duke thënë se nuk ka pasur asgjë kundër të dëmtuarit dhe se gjithçka ishte pasojë e një momenti emocional, ndërsa kërkoi falje publike ndaj Hamitit dhe familjes së tij duke shpresuar në një dënim sa më të butë.
Mbrojtësi i tij, avokati Gojart Zymberi, e mbështeti këtë deklarim duke argumentuar se nuk ka pasur qëllim për rrezik real dhe kërkoi ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak.
Nga ana tjetër, prokurori Arian Frrokaj pranoi pranimin e fajësisë dhe kërkoi që gjykata të peshojë rrethanat lehtësuese dhe rënduese gjatë caktimit të dënimit, raporton Betimi për Drejtësi.
Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Blinera Osmani, theksoi se kërcënimi ka pasur pasoja të rënda në gjendjen emocionale të Hamitit, duke i shkaktuar ankth dhe pasiguri të vazhdueshme.
Vetë moderatori Alaudin Hamiti u shpreh se dëshiron të dijë arsyet e këtij veprimi, pasi ai nuk e njihte të akuzuarin dhe nuk kishte kërcënuar askënd.
Gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, e aprovoi pranimin e fajësisë dhe njoftoi se lidhur me masën e arrestit shtëpiak do të vendoset bashkë me shpalljen e aktgjykimit.
Sipas aktakuzës së datës 19 mars 2026, Liman Berisha akuzohet se më 26 nëntor 2024, përmes mesazheve në Facebook drejtuar Klan Kosovës, e kishte kërcënuar moderatorin me jetë pas një debati me nipin e tij, duke përdorur fjalët: “besom ka me pagu me jetë” dhe “ka me hanger plumbin shpejt”.
/Prive By Liberta Spahiu


