Pas akuzave të rënda nga djali i saj i madh, Brooklyn Peltz Beckham, Victoria Beckham ka dhënë një reagim të shkurtër por diplomatik. Në një intervistë për The Wall Street Journal të botuar më 16 prill, ish-anëtarja e “Spice Girls” u shpreh se ajo dhe David kanë tentuar gjithmonë të jenë prindërit më të mirë të mundshëm. Duke cituar presionin e të qenit në qendër të vëmendjes për 30 vite, ajo theksoi se qëllimi i tyre i vetëm ka qenë mbrojtja dhe dashuria për fëmijët, duke refuzuar të hyjë në detaje të mëtejshme.
Brooklyn Beckham: “Nuk dua pajtim me familjen time”
Nga ana tjetër, 26-vjeçari Brooklyn ka vënë një vijë të qartë ndarëse. Në një deklaratë shpërthyese në janar, ai akuzoi prindërit e tij për manipulim të mediave dhe krijimin e një imazhi fals në rrjetet sociale. Sipas tij, marrëdhëniet “autentike” që shfaqen online janë thjesht një fasadë për të ruajtur reputacionin e tyre, ndërkohë që ai vetë ndihet i çliruar nga kontrolli që prindërit kanë ushtruar mbi të gjithë jetën e tij.
Prapaskenat e dasmës: Fustani, vallëzimi dhe “ryshfetet”
Sipas Brooklyn, lufta nisi para dasmës së tij me Nicola Peltz në vitin 2022. Ai pretendon se David dhe Victoria tentuan ta “korruptonin” dhe i bënë presion që të nënshkruante dokumente ku hiqte dorë nga të drejtat e emrit të tij. Akuzat bëhen edhe më personale kur bëhet fjalë për ceremoninë: ai thotë se Victoria anuloi qepjen e fustanit të nuses në momentet e fundit dhe i “vodhi” vallëzimin e parë me bashkëshorten, duke u ngjitur vetë në skenë me ndihmën e këngëtarit Marc Anthony.
Më në fund “në paqe” larg prindërve
Pavarësisht përpjekjeve të Nicola Peltz për të rregulluar marrëdhëniet, Brooklyn thotë se prindërit e tij kanë vazhduar të sillen ftohtë dhe me mosrespekt ndaj bashkëshortes së tij. Megjithatë, ai u shpreh se që kur u distancua nga familja e tij, ankthi kronik që e ka shoqëruar gjatë rritjes është zhdukur. Sot, themeluesi i “Cloud23” thotë se zgjohet mirënjohës për jetën që ka zgjedhur, larg manipulimeve dhe presionit të famës Beckham. /Prive By Liberta Spahiu


