Zayn Malik, ka shqetësuar fansat e tij anë e mbanë botës me postimin e tij të fundit në rrjetet sociale. Ish-anëtari i grupit “One Direction” ka publikuar një foto nga shtrati i spitalit, duke bërë me dije se po përballet me një problem shëndetësor të papritur që e ka detyruar të anulojë angazhimet e tij për këtë javë.
Përmes një mesazhi të gjatë në Instastory, këngëtari ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen, ndërsa ka zbuluar se ka pasur një “javë të gjatë” dhe ende po rikuperohet.
“Për fansat e mi – Faleminderit të gjithëve për dashurinë dhe mbështetjen tuaj tani dhe gjithmonë – ka qenë një javë e gjatë dhe ende po rikuperohem papritur. Jam zemërthyer që nuk mund t’ju shoh të gjithëve këtë javë, nuk do të isha në vendin ku jam sot pa ju dhe jam shumë falënderues për mirëkuptimin tuaj,” – shkruan Zayn.
Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen dhe ka rritur shqetësimin e ndjekësve është falënderimi i tij specifik për stafin mjekësor. Fakti që ai përmend një kardiolog lë të kuptohet se gjendja e tij mund të ketë lidhje me probleme të zemrës, edhe pse ai vetë nuk ka dhënë detaje specifike rreth diagnozës.
“Faleminderit stafit të jashtëzakonshëm të spitalit, doktorëve, infermierëve, kardiologut, menaxhmentit, administratës dhe të gjithë atyre që më kanë ndihmuar gjatë kësaj rruge dhe vazhdojnë ta bëjnë. Ju jeni të gjithë legjenda! Dashuri e madhe, z,” – përfundon mesazhin këngëtari.
Për momentin, nuk ka një deklaratë zyrtare nga ekipi i tij rreth natyrës së saktë të sëmundjes apo procedurave mjekësore që po kalon, por fansat kanë nisur menjëherë t’i dërgojnë mesazhe mbështetjeje për një shërim të shpejtë. /Prive By Liberta Spahiu


