Dialogu i mbylljes mes Ledion Liços dhe Monika Kryemadhit ishte ekzaktësisht ajo përzierja e lezetshme e sinqeritetit, humorit dhe atij ngacmimi tipik televiziv që na mban të mbërthyer pas ekranit.
Ledioni theu akullin i pari, duke i dhënë opinionistes vlerësimin e merituar hapur fare: “Monika Kryemadhi, ishte një kënaqësi të të rinjihja në një dimension krejt tjetër.” Një mendim ky që Arbër Hajdari e vulosi menjëherë me një “edhe për mua” nga krahu tjetër.
Dhe Monika si Monika, duke mos e fshehur aspak emocionin, e pranoi se kjo eksperiencë ka qenë diçka të cilën e ka shijuar në maksimum. Ajo preku një tel shumë personal kur tha se ky format e bëri të kuptonte që “jeta vazhdon edhe mbas shumë gjërave të tjera”.
Por momenti më i papritur i mbrëmjes ishte kur bëri një hap pas dhe kërkoi ndjesë publike. “Unë të kërkoj shumë falje Ledion për fjalorin që kam përdorur,” tha ajo. Me një analizë të shpejtë të rrugëtimit të saj, Monika u shpreh se në atë botën nga vjen, moderatorët shpesh shihen si “armiq”, ndaj fjalori i saj ishte thjesht një mbrojtje e nënndërgjegjes për të cilën ndjen nevojën t’i kërkojë falje edhe vetvetes.
Sigurisht, Ledioni i gjendur në situatë ia priti me sportivitet: “Mos më kërko falje mua se e di që unë nga ty pranoj çdo gjë dhe e kam vetëm hallin te publiku.”
Dhe pikërisht këtu ndodhi ai ngacmimi që po bën lajm kudo sot. Prezantuesi, me ironinë e tij të hollë, u shpreh se më në fund ia dolën ta “zbusnin” Monikën, por hodhi grepin me shaka: “Shiko se mos na vjen vitin që vjen kështu e moderuar mo.”
Monika me humor u shpreh se Arbëri “i ndërron opinionistet” nga sezoni në sezon.
Tani, dorën në zemër, a ka mbetur njeri pa u prekur nga fenomeni Monika këtë vit? Nga një figurë me një profil tjetër publik, ajo u kthye në një surprizë absolute për të gjithë. Me origjinalitetin e saj pa asnjë lloj filtri, batutat epike që pushtuan rrjetin, gafat e lezetshme dhe nervozat krejtësisht të sinqerta, ajo u shndërrua pa diskutim në një element magnetik për spektaklin. Monika theu akullin dhe ndryshoi rrënjësisht perceptimin e masës, duke na treguar një anë shumë më njerëzore dhe të afërt. A do e donit në një sezon të ri Monikën për të trazuar edhe një herë ujërat e shtëpisë më të famshme në Shqipëri? /Prive By Liberta Spahiu


