Kur mendojmë për Drenusha Xharrën, na vijnë ndërmend fustanet magjepsëse dhe detajet e kuruara deri në perfeksion. Por këtë herë, dizenjatorja e njohur shqiptare është pjesë e një ngjarjeje që shkon përtej modës dhe preokupimeve të sipërfaqshme të showbizit. Në një mbrëmje ku zemrat u bënë bashkë për një kauzë jetike, shkëlqimi i vërtetë erdhi nga bamirësia.
Organizata “Care for Kosovo Kids” mbajti së fundmi një darkë humanitare që ia doli të mbledhë një shifër vërtet mbresëlënëse prej plot 223,290 eurosh. Këto fonde jetike do të shkojnë drejtpërdrejt për të mbështetur fëmijët në Kosovë që po përballen me betejën e vështirë kundër kancerit. Në këtë ngjarje të veçantë, Drenusha nuk ishte e pranishme thjesht si një e ftuar nderi apo për të pozuar para kamerave. Një nga krijimet e saj ekskluzive u vu në ankand dhe arriti të shitet për hiç më pak se 10,000 euro. Siç e ndau edhe vetë ajo me ndjekësit përmes rrjeteve sociale, ai fustan të hënën mbrëma nuk ishte më thjesht një copë mëndafshi luksoze, por u kthye në shpresë dhe në një mundësi konkrete për të shëruar.
Ky veprim tregon se kur industria e modës bashkon forcat me nisma të tilla humanitare, ndikimi është i jashtëzakonshëm. Përveç ankandit të fustanit, u bë e ditur se shumë shpejt do të nisë edhe faza e dytë e prodhimit të çantave në bashkëpunim me Chameleon Print, një tjetër nismë e përbashkët që synon të mbledhë akoma më shumë fonde për këtë kauzë. Drenusha ka ftuar çdo individ dhe biznes t’i bashkohet këtij rrugëtimi fisnik.
Në fund të ditës, asnjë trend apo sfilatë nuk e mund dot rëndësinë e një jete të shpëtuar, dhe siç theksoi edhe dizenjatorja, çdo fëmijë meriton të jetojë e të ëndërrojë pa dhimbje. /Prive By Liberta Spahiu


