120 ditë izolim, emocione të forta, lot dhe në fund fitorja e madhe. Selin ka thyer më në fund heshtjen pas triumfit në Big Brother VIP Albania, dhe siç pritej, rrjeti menjëherë ka nisur të ziejë. Përmes dy postimeve të njëpasnjëshme në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, fituesja e këtij edicioni ka ndarë me ndjekësit ndjesitë e para pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, por është pa dyshim postimi i dytë ai që po bën vërtet xhiron e mediave.
Në postimin e parë, e shfaqur me fustanin e saj magjepsës të finales, Selin ka zgjedhur të bëjë një dedikim të gjatë e të ndjerë. Ajo falënderoi publikun e jashtëzakonshëm që e mbështeti në çdo hap, stafin drejtues nga producentja Sara Hoxha tek moderatori Ledion Liço, si dhe opinionistët. Një reagim i thellë dhe plot mirënjohje për një rrugëtim që, siç e përshkruan ajo vetë, nuk ishte thjesht një garë drejt finales, por një udhëtim drejt vetvetes.
Por aty ku të gjithë po prisnin vetëm fjalime standarde fituesish dhe bilance loje, Selin i ka dhënë publikut ekzaktësisht atë që po priste me padurim. Në postimin e dytë, një shkrepje bardhë e zi mjaft intime e realizuar natën e finales, ajo shfaqet në krahët e Gimbos, i cili e puth plot pasion dhe mbështetje. Me mbishkrimin e shkurtër por mjaft domethënës “To be continued…” të shoqëruar me hashtagun e famshëm #teamselimbo, ajo ka vulosur gjithçka.
Ky është një mesazh i qartë për të gjithë: historia e tyre jo vetëm që i rezistoi presionit të izolimit, por sapo ka nisur kapitullin e saj më të bukur jashtë kamerave. Dyshja duket në qiellin e shtatë, duke lënë pas çdo zhurmë e duke dëshmuar se fitorja e vërtetë e këtij edicioni shkon përtej çmimit të madh. /Prive By Liberta Spahiu


